Arbëri

IML: Java e tretë që po zhvillohen gërmime në Kozhle të Novi Pazarit

Germimet

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë të ditur se po vazhdojnë gërmimet në lokacionin Kozhle, rrethinë e Novi Pazarit, për të tretën javë me radhë. Në njoftim theksohet se sipas informatave të dëshmitarëve, në këtë lokacion ka mbetje kockore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

“Është java e tretë që ekipet e ekspertëve mjeko ligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore po marrin pjesë në gërmimet që po zhvillohen në lokacionin Kozhle në rrethinën e Novi Pazarit.  Sipas informatave të dëshmitarëve, dyshohet se në këtë lokacion ka mbetje kockore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Deri më sot, në territorin e Serbisë janë lokalizuar pesë varreza masive prej ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të 950 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se puna dhe kërkimi në këtë drejtim vazhdon edhe sot dhe nuk do të ndalet derisa të dihet fati dhe vendndodhja e secilit person të zhdukur me forcë gjatë luftës.