Arbëri

IKD: Qalaj po e bllokon zbatimin e reformës në KPK

IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin lidhur me veprimet e u.d. të kryeprokurorit të shtetit, Agron Qalaj, duke thënë se ato po e pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës. 

“Më 1 janar 2026 ishte paraparë që të fillojë reforma e shumëpritur në sistemin prokurorial të Kosovës. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga fillimi i këtij viti do të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa i kishte me legjislacionin e vjetër. Gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, në një proces të bazuar në meritokraci, zgjodhën znj. Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i së cilës do të duhej të fillonte më 1 janar të këtij viti. Përderisa pritjet legjitime të publikut janë se KPK do të ndërmarrë veprime konkrete në jetësimin e reformës në sistemin prokurorial të Kosovës dhe në ruajtjen e parimeve të sundimit të ligjit dhe integritetit të sistemit prokurorial, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën”, thuhet nga IKD-ja. 

IKD-ja ka thënë se Qalaj po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes në KPK, “duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të prolonguar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial”.

“Për më tepër, IKD vlerëson se konstatimi i z. Agron Qalaj se propozimi i një (1) anëtari të KPK-së nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK. Fillimisht, duhet theksuar se neni 37/A, i cili thekson se: “1. Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm”, është dispozitë kalimtare, e cila ka vlejtur në kohën kur KPK kishte mbi shtatë (7) anëtarë dhe zbritja e numrit të anëtarëve duhej të vinte gradualisht, siç tanimë ka ndodhur. Tanimë, në situatën kur kjo dispozitë kalimtare ka humbur fuqinë ligjore, aplikohet neni 13 i Ligjit në fjalë, i cili thekson se: “1. Kuorumi i Këshillit formohet me pesë (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj; 2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj”.

Sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë (5) anëtarësh për mbajtjen e takimit. Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet “anëtarëve të Këshillit”, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre (3)”, thuhet nga IKD. 

Mbledhja e parë e Këshillit Prokurorial për sivjet, të martën, dështoi meqë kryesuesi dhe kryeprokurori Agon Qalaj ka konstatuar se nuk kaloi rendi i ditës. Njëri version i rendit të ditës mori 3 nga 5 votat e nevojshme, por Qalaj që votoi kundër këtij versioni, tha se propozimi nuk kaloi. Sipas tij, duhen 4 vota për, meqë KPK-ja ka 7 anëtarë

Kryesuesi, njëherësh kryeprokurori Agon Qalaj ka shpërfillur kërkesat e tre prej pesë anëtarëve për ta bërë pikë të parë të rendit të ditës certifikimin e Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e KPK-së. 
Kundërshtinë e bëri me arsyetimin se ligji i jep diskrecion në udhëheqjen e mbledhjeve të Këshillit.
E IKD-ja ka thënë se Qalaj nuk ka vepruar në përputhje me kriteret ligjore. 

“Në rastin konkret, propozimi i anëtarit të KPK-së ka përmbushur këtë kriter ligjor, pasi në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë (5) anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre (3) kanë votuar pro dhe dy (2) kundër. Rrjedhimisht, propozimi ka marrë votat për miratim dhe do të duhej të konsiderohej i miratuar. IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore. Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës”, tha IKD. 

IKD-ja i ka bërë Qalajt që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore e të konstatojë pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit të vitit 2025, siç u votua në takimin e djeshëm. 

“U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit do të duhej të shërbente si shembull i respektimit të ligjit dhe procedurës për të promovuar integritetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare, duke marrë masa për funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe për tranzicionin e shpejtë dhe pa vonesa te Kryesuesi i ardhshëm i KPK-së”, është thënë nga IKD-ja.