Arbëri

I shumëkërkuari Pacolli

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Presidenti Thaçi e ka realizuar një vizitë pa paralajmërim në Shqipëri, disa orë pasi deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka aterruar në Aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Ushtruesi i detyrës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ngritur dyshime se Thaçi ka shkuar në Tiranë, për ta marrë Pacollin.

Ky i fundit shmangu Aeroportin e Prishtinës për shkak të paralajmërimeve se do të futej në karantinë. Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Pacolli, tentoi të kthehet në Prishtinë, pas përpjekjeve të LDK-së që ta formojë Qeverinë e re, në të cilën edhe AKR-ja do ta kërkojë hisenë e vet.

Sveçla i ka bërë thirrje Pacollit ta tregojë vendndodhjen e tij përndryshe do të arrestohet momentin që shfaqet brenda territorit të Kosovës. Derisa një ditë më herët, Pacolli ishte ankuar disa herë nëpërmjet rrjeteve sociale se iu pamundësua ardhja në Prishtinë, të mërkurën ai nuk është lajmëruar. As Presidenca nuk ka treguar për qëllimin e shkuarjes së Thaçit në Shqipëri, shkruan KOHA.

Sipas raporteve që ka dërguar policia kufitare në MPB, të martën presidenti ka kaluar kufirin shtetëror para orës 18 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer pak pas orës 19:00 në Kosovë.

“Kur eskorta e presidentit është ndalur, është konstatuar se në veturën e dytë është presidenti. Ai ishte ulur në ulësen e parë përkundër rregullave. Po ashtu, policia për shkak të xhamave të zi s’ka mundur të vërejë nëse ka pasur persona të tjerë. Vetura e presidentit ishte e shoqëruar nga një veturë tjetër, ku ishte vetëm shoferi”, ka thënë Sveçla, në një konferencë për media.

Ai ka shtuar më tej se, protokolli shtetëror kërkon që çdo vizitë e presidentit jashtë vendit, qoftë zyrtare apo private, duhet të lajmërohet pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sipas Sveçlës, presidenti nuk e ka bërë këtë.

“Nëse deputeti i Kosovës ishte në veturën e presidentit me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë rregullën për karantinim. Ne i kërkojmë presidentit që të përgjigjet pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërsa Pacollit i kërkojmë të shprehet menjëherë se ku është, përndryshe nëse shfaqet në publik në një moment të caktuar brenda territorit, policia do të marrë masat e parapara me ligj”, ka deklaruar Sveçla. Ai ka shtuar se nuk kanë kontaktuar me institucionet e Shqipërisë, në lidhje me rastin.

Sveçla ka përmendur vendimin e Qeverisë sipas të cilit personat për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë në sëmundje nga koronavirus, futen në karantinë.