Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Ndërmarrjet kosovare po humbin tregun nga kostot e larta të prodhimit

Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Foto: Driton Paçarada

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ndërmarrjet prodhuese të Kosovës po humbin tregun vendor dhe ndërkombëtar për shkak të rritjes së kostove të prodhimit.

Në një postim në Facebook ka shkruar se bazuar në të dhënat që ASK-ja i mbledh nga ndërmarrjet prodhuese më reprezentative në Kosovë, çmimet e prodhimit në tremujorin e parë 2026 janë rritur për 7.9% krahasuar me tremujorin e parë 2025. Sipas tij, krahasuar me vitin 2021, rritja e kostove të prodhimit arrin në 24.1%. Kjo, sipas Hotit, ka ardhur para se gjithash nga rritja e kostove të energjisë të të gjitha llojeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“A ka pasur mundësi të amortizohet një pjesë e rritjes së kostove të prodhimit? Padyshim se po. Sot, prodhimi në Kosovë do të ishte më i lirë sikur të zbatoheshin masat që kemi propozuar në vazhdimësi.  Pasojat e kësaj situate janë të shumëfishta, afatgjata dhe strukturore”,  ka shkruar ai.

Sipas tij, e para është se ndërmarrjet prodhuese të Kosovës e humbin tregun vendor, pasi konsumatorët orientohen drejt produkteve më të lira nga importi. Ka shtuar se punësimi në sektorin e prodhimit bie, investimet në prodhim bien dhe të ardhurat e përgjithshme bien.

“E dyta, rriten importi i mallrave nga jashtë, përfshirë mallrat më elementare që lehtësisht mund të prodhohen në Kosovës. Kjo edhe ka ndodhur. Mes viteve 2021 dhe 2025, importi është rritur nga 4.6 miliardë në 7.0 miliardë. E treta, rritja ekonomike zvogëlohet dhe të ardhurat rrjedhin jashtë vendin.

Sipas tij, e katërta, dhe më e rënda, në afat më të gjatë ekonomia vendore e humb aftësinë konkurruese pasi mungojnë investimet në prodhim dhe nuk krijohen kapacitete sa i përket kapitalit njerëzor, pasi sipas tij, askush nuk investon në shkathtësi që nuk kërkohen në treg. Sipas tij, rrjedhimisht, ekonomia vendore futet në kurthin e zhvillimit të ulët.

Hoti ka deklaruar se ky trend dhe ky kurth duhet ndaluar sa më parë.

Ka shtuar se Qeveria e re duhet të jetë e djathë, me orientim kah zhvillimi.

“Para se gjithash, duhet investuar fuqishëm në infrastrukturë dhe energjetikë për të ulur kostot e prodhimit. Duhet rishikuar menjëherë politikat fiskale që prekin ndërmarrjet prodhuese. Duhet punuar ngushtë me sistemin bankar për të zhvilluar instrumente kreditore favorizuese për ndërmarrjet prodhuese, për të cilat duhet të lëshohen garanci me pjesëmarrje të shtetit përmes blerjes së polisave të sigurimit që mbulojnë riskun e dështimit të kthimit të kredisë”, ka thënë ai.