Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje, Listës Guxo dhe Alternativës, kanë kontaktuar me më shumë se dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i bindur që të jenë pjesë e saj, por se ata janë unik dhe veprojnë të bashkuar si LDK.
Sipas tij, koalicioni që ka dal i pari në zgjedhje, duhet ta kuptojë se veprimet për t’i bindur individualisht deputetët nuk krijon stabilitet politikë, pa një marrëveshje politike.
Haziri këto komente i bëri pasi për të 21 me radhë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
“Ka veprime por me deputetë individualisht. Kjo nuk e bën të besueshme një marrëveshje politike. Është legjitime që partia e parë me provuar që me i bind deputetët të bëhen pjesë e saj duke përfshirë transaksione, oferta dhe joshje politike por nuk krijon stabilitet, duhet të kuptojë partia e parë se pa një marrëveshje politike, pavarësisht me kënd , nuk ka stabilitet dhe nuk ka debllokim të situatës”, tha ai.
Haziri është pyetur edhe për kontaktimin që ka bërë koalicioni i parë, disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Përtej dyve më shumë janë kontaktuar por është çështje që edhe ato takime i kanë zbardhur vet, që nënkupton që LDK është unike, ne veprojmë bashkë politikisht dhe jemi të interesuar me i dhënë oksigjen politik krejt kësaj situate, kështu që gjendja jonë, raporti, statusi është shumë i qartë, ne jemi këtu, kemi bërë një ofertë për një qeveri kalimtare, nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.
Ai tha se beson që racionaliteti politik do ta dërgojë drejt një marrëveshje politike për ta krijuar një shumicë dhe Kosova të debllokohet nga kjo marrje politike padrejtësisht./KSP
Gashi: LVV po thotë që i ka numrat për qeveri e jo për Albulena Haxhiun
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi i ka uruar suksese Albulena Haxhiu, derisa ajo po hynte në veturë pas dështimit për konstituim të kuvendit.
Deputeti Arben Gashi më pas u pyet nga mediat nëse do ia mundësonte këtë sukses Haxhiut, për çka tha se një gjë të tillë duhet ta bëjë partia e vet.
“Albulena suksese... I urova sukses, suksesin ia mundëson partia e vet, e cila po thotë që i ka numrat për qeveri por nuk i ka për Albulenën. Mendoj që është degraduese dhe e panevojshme një situatë e tillë. Gjithsesi mendoj se ka kaluar kohë e arsyeshme e sjelljes së tillë politike. Duhet që sa më shpejt të formohen institucionet”, u shpreh ai.
Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 27 maj në orën 11:00.
Pro votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit votuan 53 deputetë, një votë kundër dhe asnjë abstenim.
Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 90 deputetë./KSP
