Ka dështuar për të 21-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Të dielën s’pati sërish kuorum për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Në sallë ishin 90 deputetë. Pro votuan 53 deputetë, një kundër. Seanca e ardhshme është caktuar për të martën me fillim nga ora 11:00.

 

Haradinaj: Deputetët e VV-së janë kapur peng nga Albin Kurti

1 o. më parë / 25 maj 2025 14:36
Daut Haradinaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, në një postim në Facebook i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që “të mos e lë në baltë Albulena Haxhiun”. 
Ai ka thënë se po bëhet e qartë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje “janë kapur peng nga Albin Kurti”. 

“Pas çdo seance të dështuar, po bëhet më e qartë se deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat. I bëj thirrje deputetes Albulena Haxhiu, por edhe gjithë deputetëve të VV-së, që të reflektojnë dhe t’i kërkojnë Albin Kurtit numrat e tij, që janë siguruar për Kryeministër, 61+, ashtu siç po deklarojnë, edhe t’i ofrojë të njëjtit edhe për votimin e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos lejohet vazhdimi i bllokimit të vendit. Si mund të kuptohet sigurimi i numrave për Albin Kurtin e jo edhe për Albulena Haxhiun? Flisni ndër veti, reflektoni dhe mos e bllokoni vendin tutje. Barra e përgjegjësisë është plotësisht mbi ju. Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj. Nëse ti nuk ke besim në të, atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

Haziri: Ne jemi bashkë si parti

3 o. më parë / 25 maj 2025 12:24
Lutfi Haziri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje, Listës Guxo dhe Alternativës, kanë kontaktuar me më shumë se dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i bindur që të jenë pjesë e saj, por se ata janë unik dhe veprojnë të bashkuar si LDK.

Sipas tij, koalicioni që ka dal i pari në zgjedhje, duhet ta kuptojë se veprimet për t’i bindur individualisht deputetët nuk krijon stabilitet politikë, pa një marrëveshje politike.

Haziri këto komente i bëri pasi për të 21 me radhë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Ka veprime por me deputetë individualisht. Kjo nuk e bën të besueshme një marrëveshje politike. Është legjitime që partia e parë me provuar që me i bind deputetët të bëhen pjesë e saj duke përfshirë transaksione, oferta dhe joshje politike por nuk krijon stabilitet, duhet të kuptojë partia e parë se pa një marrëveshje politike, pavarësisht me kënd , nuk ka stabilitet dhe nuk ka debllokim të situatës”, tha ai.

Haziri është pyetur edhe për kontaktimin që ka bërë koalicioni i parë, disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Përtej dyve më shumë janë kontaktuar por është çështje që edhe ato takime i kanë zbardhur vet, që nënkupton që LDK është unike, ne veprojmë bashkë politikisht dhe jemi të interesuar me i dhënë oksigjen politik krejt kësaj situate, kështu që gjendja jonë, raporti, statusi është shumë i qartë, ne jemi këtu, kemi bërë një ofertë për një qeveri kalimtare, nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.

Ai tha se beson që racionaliteti politik do ta dërgojë drejt një marrëveshje politike për ta krijuar një shumicë dhe Kosova të debllokohet nga kjo marrje politike padrejtësisht./KSP
 


Gashi: LVV po thotë që i ka numrat për qeveri e jo për Albulena Haxhiun

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi i ka uruar suksese Albulena Haxhiu, derisa ajo po hynte në veturë pas dështimit për konstituim të kuvendit.

Deputeti Arben Gashi më pas u pyet nga mediat nëse do ia mundësonte këtë sukses Haxhiut, për çka tha se një gjë të tillë duhet ta bëjë partia e vet.
“Albulena suksese... I urova sukses, suksesin ia mundëson partia e vet, e cila po thotë që i ka numrat për qeveri por nuk i ka për Albulenën. Mendoj që është degraduese dhe e panevojshme një situatë e tillë. Gjithsesi mendoj se ka kaluar kohë e arsyeshme e sjelljes së tillë politike. Duhet që sa më shpejt të formohen institucionet”, u shpreh ai.
Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 27 maj në orën 11:00.

Pro votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit votuan 53 deputetë, një votë kundër dhe asnjë abstenim.

Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 90 deputetë./KSP
 

Kryeziu: Nuk është problemi te Haxhiu, opozita po dëshiron ta mbajë Kuvendin të bllokuar

3 o. më parë / 25 maj 2025 11:59
Arbëreshë Kryeziu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, ka akuzuar partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar, për ngërçin politik në Kosovë. 

Ajo ka thënë se partitë se kanë problemin te Albulena Haxhiu, që është propozuar nga Vetëvendosja për kryeparlamentare, por duan ta “mbajnë të bllokuar edhe më tej institucionin më të rëndësishëm në vend”. 

“Nuk është problemi te znj. Haxhiu, por problemi qëndron në atë se ata duan ta mbajnë edhe më tej të bllokuar institucionin më të rëndësishëm në vend.  Po e përdorin të vetmin mjet që e kanë në duar për bllokim, të mos marrin pjesë në votim”, ka thënë Kryeziu, pas dështimit të 21-të për ta konstituar Kuvendin. 

Çitaku-Kurtit: Reflekto, qytetarët s’kanë votuar për bllokadë

4 o. më parë / 25 maj 2025 11:35
Vlora Çitaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të mos vazhdojë bllokadën e krijuar tash e sa javë lidhur me konstituimin e Kuvendit. 

Pas dështimit të seancës së XXI-të, ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, por për formim të institucioneve, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bllokon këtë proces. 

“I bëjmë thirrje, i bëjmë ftesë z.Kurti që të reflektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja që do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. I bëjmë edhe një herë apel në mënyrë që të ecim tutje. Kërkoj falje që nuk po kemi lajme më të mira për juve”, ka thënë ajo.

S’ka konstituim as pas përpjekjes së 21-të

4 o. më parë / 25 maj 2025 11:27
Kuvendi i Kosoves

Ka dështuar për të 21-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. 

Të dielën s’pati sërish kuorum për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Në sallë ishin 90 deputetë. Pro votuan 53 deputetë, një kundër. Seanca e ardhshme është caktuar për të martën me fillim nga ora 11:00. 

Është hera e 13-të që seanca po dështon te pika e njëjtë – propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kaluar në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. 

Seanca e parë konstituive e legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës u mbajt më 15 prill. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit. 

Por, Haxhiu nuk ka siguruar votat në gjashtë përpjekjet e para në votim të hapur dhe është propozuar të kthehet në votim të fshehtë votimi për kryeparlamentar.

 

Qalaj: S’marrim pjesë në votim nëse qasja e Vetëvendosjes është e njëjtë

4 o. më parë / 25 maj 2025 11:14
Rashit Qalaj

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në votimin e sotëm në vazhdimin e seancës për konstituim të Kuvendit nëse qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është e njëjtë. 

Deputeti Rashit Qalaj, ka thënë para gazetarëve se marrin pjesë në cdo iniciativë për zhbllokimin e situatës, por jo duke vepruar kundër Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit të Kosovës.

“Nuk marrim pjesë në votim për shkak të një veprimi kundërkushtetues dhe kundër Rregullores së Kuvendit të Kosovës. Qasja e qeverisë për imponimin e një votimi të fshehtë është në kundërshtim edhe me qëndrimet që i kemi si deputetë dhe kjo është arsyeja pse nuk marrim pjesë. Jemi duke marrë pjesë në cdo iniciativë, si në takimin me presidenten, si në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kushdo që merr iniciativë do të jemi aty për debllokim, por jo duke bërë shkelje. Nëse qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është e njëjtë, absolutisht nuk marrim pjesë në votim”, ka thënë ai. 

Ndërsa deputeti tjetër i kësaj partie, Përparim Gruda, ka thënë se nuk ka asnjë ndryshim pozicioni.
 

Bahtiri: S’jemi bllokues

4 o. më parë / 25 maj 2025 10:56
Agim Bahtiri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka ritheksuar se janë të gatshëm për zhbllokim të situatës së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit. 

Para fillimit të seancës, ai u pyet se cilat janë pritjet për mbledhjen e sotme.

“Ta shohim çfarë po thotë opozita. Ne çdo herë jemi të gatshëm për të dhënë kontribut, për të zhbllokuar këtë situatë”, u shpreh Bahtiri.

Deputeti i LVV-së tha se nuk është i njoftuar sa i përket deklaratave të Duda Baljes, e cila ka thënë se ka marrë ofertë nga Maqedonia e Veriut për profesoreshë në këmbim të votës për kryeparlamentar.

“Nuk jam i njoftuar këtë, por ne po bëjmë përpjekje, po apelojmë të gjithë njerëzit e devotshëm, njerëzit që ja donë të mirën këtij vendi, sidomos ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve që të zhbllokojnë situatën dhe të ecim përpara sepse na presin shumë punë”, shtoi ai, raportoi KSP.

Bahtiri ripërsëriti deklaratën e koalicioni LVV, Lista Guxo dhe Alternativa nuk janë bllokues të kësaj situate.

“21 orë janë shumë, jo 21 ditë... Ne jemi çdo herë pro, nuk jemi bllokues, por po dihet kush është bllokuesi”, përfundoi ai.

Kadrijaj: S’kemi ndikim te Adem Hoxha e Duda Balje, i kanë qëndrimet e veta

5 o. më parë / 25 maj 2025 10:41
Time Kadrijaj

Time Kadrijaj

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se si parti nuk kanë ndikim te deputetët joshumicë që kanë vendosur të mos e përkrahin propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për emër të kryeparlamentarit.

Para se të hynte në sallën ku mbahet seanca e sotme për konstituimin e Kuvendit, Kadrijaj para mediave ka thënë se sikurse Adem Hoxha, edhe Duda Balje i kanë bërë të qarta arsyet pse mbajnë këtë qëndrim. 

“Si Aleancë kemi dhënë alternativa, kemi dhënë emra të Lëvizjes Vetëvendosje që do t’i votonim. Për t’i bindur ka pasur tentim edhe te Duda Balje, sepse janë deklaruar vetë se kanë aktivizuar miqtë nga VLEN-i, sepse edhe këta iu kanë ndihmuar që të vijnë në pushtet. Nuk kemi ndikim as te Adem Hoxha, por as te Duda Balje, këta janë deputetë, i kanë qëndrimet e veta, e dinë vetë pse nuk duan të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe i keni parë vetë deklaratat e tyre që kanë qenë të qarta”, ka thënë ajo.