Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor, duke kritikuar bllokimin institucional dhe ka theksuar se keqpërdorimi i frymës kushtetuese për qëllime politike nuk mund të justifikohet.
“Bllokuesi nuk kalon! Përshkrimi i frymës kushtetuese që Kosova ka vendosur më 17 shkurt 2008 nënkupton që marrëveshjet, mirëbesimi dhe kompromiset politike janë mjetet e vetme legjitime dhe patriotike në këtë Republikë, e cila themelet i ka më 2 korrik 1990. Nuk ka detyrim”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ai theksoi se votimi nuk mund të ndikohet nga shantazhi politik dhe as të përdoret si mjet për konsum të brendshëm.
“Nuk e lejon shantazhin politik, e aq më pak keqpërdorimin e frymës kushtetuese për interesa të ditës. Është për keqardhje që në vend se politikanët, përmes deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese ta bëjë këtë”, shtoi ai.
Në vijim, Haziri theksoi mungesën aktuale të institucioneve funksionale dhe përsëriti se askush nuk mund të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i qeverisë.
“Nuk kemi Kuvend e as Qeveri, por vetëm deputetë të zgjedhur. As nuk mund të jesh edhe deputet, edhe anëtar i Qeverisë. Republika, mbi të gjitha!”, përfundoi shkrimi i tij.
Në çështjen e kalimit në votim të fshehtë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, “duke votuar ‘për’, ‘kundër’ apo ‘të abstenojnë”.
Megjithatë, partitë sërish kanë dhënë interpretime të ndryshme mbi vendimin e Kushtetueses.
