Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka thënë se afati 30 ditësh është akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses, nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve.
Pjesë e vendimit:
Gjykata ka vendosur njëzëri:
I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme;
II. Të konstatojë që:
1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur.
Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
III. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
IV. T'ua kumtojë këtë Aktgjykim palëve;
V. Ta publikojë këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VI. Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Në çështjen e kalimit në votim të fshehtë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, “duke votuar ‘për’, ‘kundër’ apo ‘të abstenojnë”.
Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje. Partitë opozitare nuk kanë votuar fare e AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së.
LDK-ja fton VV-në “t’i ndërpresë bllokimet”
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një reagimi e ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses dhe ka bërë thirrje për zbatimin e tij të plotë.
“Ky aktgjykim ka përcaktuar qartazi se grupi më i madh parlamentar nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, por duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet e tjera parlamentare”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
LDK-ja ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke iu rikthyer skenarit të dakorduar për zhvillimin e seancës dhe për të proceduar me votim të hapur.
“Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur”, vijon reagimi i tyre.
Duke ritheksuar përkushtimin ndaj parlamentarizmit funksional dhe respektimit të rendit kushtetues, LDK-ja ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar, që t’i japë fund bllokimeve dhe të kontribuojë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Ftojmë grupin më të madh parlamentar që të veprojë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresë bllokimet dhe të kontribuojë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të institucioneve të vendit”, përfundon reagimi i LDK-së.
Cakolli: Aktgjykimi i Kushtetueses s’i jep zgjidhje asnjërës palë, votimi duhet të jetë i hapur
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstitutive nuk i jep zgjidhje asnjërës palë në Kuvend, teksa shtoi se problemi vazhdon të jetë “mungesa e kulturës politike për konsensus dhe kompromise”.
Ai ka shkruar në Facebook se është pozitiv aktgjykimi për vendosjen e afatit 30-ditor për përfundimin e seancës, por shtoi se nuk është sqaruar “nëse konstiutimi nuk përfundohet” brenda afatit.
“Gjykata Kushtetuese foli për krizën në Kuvend – por jo aq sa duhej, dhe jo për gjithçka që pritej. Për disa pika ishte e qartë. Për disa të tjera, jo mjaftueshëm, thënë së buti. Në fund, një vendim që duket sikur “kënaq” të gjitha palët, por nuk i jep zgjidhje të plotë asnjërës. Dhe përtej çdo norme e interpretimi, problemi i vërtetë vazhdon të jetë mungesa e kulturës politike për konsensus dhe kompromise”, ka shkruar ai.
Sipas Cakollit, nëpërmjet këtij aktgjykimi Lëvizjes Vetëvendosjes s’i lejohet ta bllokojë Kuvendin, por tha se i takon e drejta ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Gjykata ka vendosur një afat 30-ditor për përfundimin e seancës konstituive – një hap pozitiv për të ndalur zvarritjen pafund. Por çfarë ndodh nëse konstituimi nuk përfundohet deri atëherë? Asgjë s’është sqaruar. Pra, kemi afat, por jo pasoja. E kjo është formula “ideale” për një bllokadë të re. 2. LVV ka të drejtë ta propozojë Kryetarin e Kuvendit – por edhe detyrimin të mos e bllokojë Kuvendin”, ka thënë ai.
Hulumtuesi i KDI-së shtoi se Kushtetuesja e ka qartësuar që mënyra e votimit duhet të jetë e hapur.
“4. Gjykata qartëson mënyrën e votimit: I HAPUR. Votimi i fshehtë, sipas Gjykatës, përdoret vetëm kur e parashikon Kushtetuta. E që rasti i konstituimit – nuk është një prej tyre. Madje, Gjykata indirekt përcakton që mënyra e votimit me të cilën fillohet procedura – duhet të ndiqet deri në fund. Pra, s’ka kthim mbrapa në votim të fshehtë, për aq kohë sa procesi është në vijim. Mbi të gjitha, duhet të ndiqet praktika e deritanishme – që gjithnjë ka qenë votim i hapur. 5. Por Gjykata nuk e thotë asnjë fjalë për problemin më të madh: ripërsëritjen pa fund të kandidaturës së njëjtë që nuk merr vota. Kjo është pika më e brishtë e aktgjykimit. Nuk vendosi asnjë kufi për këtë absurditet, duke lënë një derë të hapur. Dhe ndonëse përmend nevojën për kompromis, nuk vendos asnjë kufizim ndaj përsëritjes së kandidaturës që nuk ka shumicë. 6. Në rast të bllokadës së re, Presidentja mund t’i drejtohet Gjykatës. Vetë fakti që kjo lëndë është pranuar, e krijon një precedent të vlefshëm, që, nëse deputetët nuk përmbushin aktgjykimin, Presidentja ka rrugë kushtetuese për t’iu rikthyer Gjykatës”, ka shkruar ai.
Haziri: Bllokuesi nuk kalon
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor, duke kritikuar bllokimin institucional dhe ka theksuar se keqpërdorimi i frymës kushtetuese për qëllime politike nuk mund të justifikohet.
“Bllokuesi nuk kalon! Përshkrimi i frymës kushtetuese që Kosova ka vendosur më 17 shkurt 2008 nënkupton që marrëveshjet, mirëbesimi dhe kompromiset politike janë mjetet e vetme legjitime dhe patriotike në këtë Republikë, e cila themelet i ka më 2 korrik 1990. Nuk ka detyrim”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ai theksoi se votimi nuk mund të ndikohet nga shantazhi politik dhe as të përdoret si mjet për konsum të brendshëm.
“Nuk e lejon shantazhin politik, e aq më pak keqpërdorimin e frymës kushtetuese për interesa të ditës. Është për keqardhje që në vend se politikanët, përmes deputetëve, t’i zgjidhin ngërçet, i duhet Gjykatës Kushtetuese ta bëjë këtë”, shtoi ai.
Në vijim, Haziri theksoi mungesën aktuale të institucioneve funksionale dhe përsëriti se askush nuk mund të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i qeverisë.
“Nuk kemi Kuvend e as Qeveri, por vetëm deputetë të zgjedhur. As nuk mund të jesh edhe deputet, edhe anëtar i Qeverisë. Republika, mbi të gjitha!”, përfundoi shkrimi i tij.
Në çështjen e kalimit në votim të fshehtë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, “duke votuar ‘për’, ‘kundër’ apo ‘të abstenojnë”.
Megjithatë, partitë sërish kanë dhënë interpretime të ndryshme mbi vendimin e Kushtetueses.
Krasniqi: Kushtetuesja i dha fund lojës së VV-së
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.
Të enjten, Kushtetuesja obligoi deputetët të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët brenda 30 ditësh. Vendimi ka përplasur deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të partive që deri tash ishin në opozitë për çështjen që lejohet apo jo të kalohet nga votimi i hapur në të fshehtë për këtë çështje. VV-ja e ka interpretuar se kjo çështje lejohet e opozitarët se jo.
“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. “Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”.
“Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin. PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur - tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!” ka shtuar Krasniqi.
Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje. Partitë opozitare nuk kanë votuar fare e AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së.
Murati: Votimi i fshehtë s’e shkel Kushtetutën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se votimi i fshehtë në seancën konstitutive nuk e shkel Kushtetutën, derisa tha se një votim i tillë lejohet.
Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive, Murati ka thënë se “të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstiuuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesi të Kuvendit”.
“1. Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. 2. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në kryesi të Kuvendit. 3. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim. Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë, dhe kryhet kjo punë”, ka thënë Murati në Facebook.
Tahiri: Votimi i fshehtë, jokushtetues
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar “jokushtetues” themelimin e Komisionit për Votim të fshehtë në seancën konstitutive.
Ai ka shkruar në Facebook nëpërmjet vendimit të sapopublikuar, Kushtetuesja e ndal “një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike”.
“Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues. Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike. Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive”, ka shkruar Tahiri.
Deputeti i PDK-së shtoi se ka dorëzuar komente mbështetës për të mbrojtur rendin kushtetues “dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet”.
“Gjykata konfirmoi se: 1. Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike; 2. Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë; 3. E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues; 4. Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik; 5. Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit; Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt. Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme”, ka shtuar ai.
Haradinaj: Deputetët t’i hapin rrugë konstituimit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.
Derisa përmendi vendimin që thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, deputeti Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja ka krijuar bazë ligjore “për të dalë nga ngërçi i krijuar”.
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses është lehtësues.
“Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës. Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar. Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka thënë ai në Facebook.