(Lajm i përditësuar) - Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Gjatë takimit, Haxhiu e uroi ministrin Hoxha për detyrën e re, duke vlerësuar gjithashtu përvojën e tij të gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare. “Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, u shpreh ajo.
Sipas njoftimit për media, në takim u diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimi në politikën e jashtme, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Haxhiu theksoi rëndësinë e afërsisë historike, gjuhësore dhe kombëtare si bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.
Një pjesë e bisedimeve iu kushtua edhe rrugës euroatlantike të Kosovës ku bëhet e ditur se u.d. Presidentja kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe avancimin e procesit të afrimit me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.
Në përfundim, Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në forumet ndërkombëtare, me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.
Edhe
Maqedonci: Haxhiu u ftua në margjinat e Samitit të NATO-s, por u vlerësua se s’duhet të marrë pjesë
Hamza takon ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Kosovës i duhen institucione stabile dhe funksionale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Sipas njoftimit për media, gjatë takimit, Hamza dhe ministri Hoxha diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe të përqendruara në interesat e qytetarëve.
Me këtë rast, Hamza theksohet se ka vlerësuar lart angazhimin e ministrit Hoxha në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm i Kosovës në çdo detyrë që ka ushtruar dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka përfaqësuar Shqipërinë.
“Kënaqësi të takoja sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe me fokus te interesat e qytetarëve. Ministri Hoxha gjithmonë ka qenë edhe ‘diplomat i Kosovës’, në çdo detyrë që ka shërbyer dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka folur”, ka shkruar Hamza.
Edhe
Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE
Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në proceset e saj shtetformuese dhe integruese.
“Përherë mirënjohës Shqipërisë për përkrahjen e saj për Kosovën”, ka theksuar Hamza.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e më pas edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti janë takuar me ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Edhe
Haxhiu kërkon avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE
Mediat janë lejuar të marrin pamje në fillim të të dyja takimeve, ndërkaq nuk ka pasur deklaratë për media.
Edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, do ta pres në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Ferit Hoxha. Pas takimit, të dy homologët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Kurti, Hoxhajt: Bashkërendimi mes Kosovës dhe Shqipërisë s’është zgjedhje, por detyrë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Kurti theksoi se Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera si dy shtete të të njëjtit komb, duke nënvizuar se bashkërendimi dhe bashkëveprimi ndërmjet tyre nuk janë zgjedhje, por detyrë kombëtare.
Gjatë bisedës, kryeministri në detyrë foli për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, si dhe për punën e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
Po ashtu, ai vuri theksin te thellimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë diplomacinë, energjinë dhe infrastrukturën hekurudhore.
Krahas marrëdhënieve dypalëshe, Kurti theksoi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëveprimit në politikën e jashtme, në proceset e integrimit euroatlantik të të dyja vendeve, si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Hoxha citon Ramën: Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë
Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në konferencën e përbashkët me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme në Kosovë, Glauk Konjufca, ka folur për atë se – çka u diskutua e dakordua në takimin që e zhvilluan paraprakisht.
Hoxha deklaroi para mediave se diskutuan për mënyrën se si të rritet bashkëpunimi në ministritë e jashtme mes dy vendeve, ndërsa foli edhe për kërcënimin e sigurisë së Kosovës nga Serbia duke kërkuar të ketë llogaridhënie të plotë për sulmin në Banjska dhe në kanalin Ibër-Lepenc.
Ai shprehi mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj Kosovës ndërsa citoi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama se “kush prekë Kosovën, prekë Shqipërinë.
“Pa një Kosovë të sigurt nuk mund të ketë as rajon e as Evropë të sigurt. Shqipëria nuk do të pranojë e as tolerojë cenimin e qytetarëve të Kosovës dhe do të jetë përherë krah Kosovës. Sulmi në Banjska dhe kanalin Ibër-Lepenc nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë. Kam ardhur këtu për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama: kush prekë Kosovën, prekë Shqipërinë. Kosova është një realitet i pakthyeshëm politik. Kushdo që mendon ndryshe, sheh ëndrra me sy hapur”, ka thënë Hoxha.
Ministri Hoxha ka deklaruar tutje se Kosova është prioritet i Shqipërisë dhe se çdo dhimbje e saj ndjehet edhe në Shqipëri si dhe çdo sukses festohet po ashtu.
“Ne në Shqipëri nuk do të mund ta themi kurrë mjaftueshëm që Kosova është prioritet absolut i ynë i politikës së jashtme. Është një dimension i qartë, i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i Qeverisë shqiptare. Ajo që ndodhë në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejt për Shqipërinë, një lidhje të ndërsjellë e të pandashme sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe i Shqipërisë ecin krahë për krahë. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet në Shqipëri”, ka thënë Hoxha.
Zhvillimet në Evropë sipas Hoxhës e dakordoi me Konjufcën për intensifikim të takimeve dhe angazhimit në fushat që duhet vepruar më shpejt apo kërkon angazhim më të madh.
“Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takime të tjera administrore apo edhe më lartë si do të jetë më e nevojshme për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë. Me përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shpejt, më shumë apo të shpejtojmë”, ka deklaruar Hoxha.
I pyetur për mbajtjen e mbledhjes mes dy qeverive, Konjufca tha se do të shohim nëse shtatori apo tetori do të jenë muaj të mundshëm për mbajtjen e kësaj mbledhjeje. Ai deklaroi se kjo mbledhje nuk është mbajtur për shkak të krizës institucionale nëpër të cilën po kalon Kosova.
Paraprakisht, ministri Hoxha takoi ushtruesen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Në këto takime u theksua se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në forumet ndërkombëtare, me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.
Gjithashtu, ai u urua për detyrën e re duke u vlerësuar përvoja e tij e gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare.
Konjufca në takim me Hoxhën kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun e tij nga Shqipëria, Ferit Hoxha, ka deklaruar se takimet me përfaqësuesit e Shqipërisë janë të rregullta dhe me karakter vëllazëror, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve.
“Takimet tona janë gjithmonë vëllazërore, të rregullta dhe të përhershme. Me shtetin shqiptar kemi komunikim të vazhdueshëm lidhur me objektivat tona të përbashkëta shtetërore e kombëtare”, ka thënë Konjufca.
Ai theksoi se koordinimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë është i lehtë, pasi të dyja vendet përfaqësojnë interesat e të njëjtit komb.
“Të koordinosh politikën e jashtme mes dy shteteve si Kosova dhe Shqipëria është gjëja më e lehtë sepse përfaqësojmë interesat e të njëjtit komb, prandaj edhe politika jonë e jashtme është unike”, u shpreh ai.
Konjufca tha se orientimi strategjik i të dy vendeve mbetet rruga euroatlantike dhe vlerat perëndimore, të cilat sipas tij janë përcaktim i kombit shqiptar.
“Orientimet strategjike kah vlerat perëndimore dhe rruga euroatlantike është përcaktim i kombit shqiptar dhe në këtë rrugëtim vendet tona janë përkrah njëra-tjetrës”, deklaroi ai.
Ai u shpreh besimplotë se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri viteve, duke e cilësuar këtë si arritje për kombin shqiptar.
“Për Kosovën anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte inspirim, por edhe një shans i madh përfitues në aspiratën tonë eurointegruese”, tha Konjufca.
Ai shtoi se në takime janë diskutuar një varg çështjesh dhe se ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e mbrojtjes dhe është e gatshme të bëhet pjesë e kësaj strukture të sigurisë”, u shpreh ai.
Konjufca theksoi gjithashtu se mbështetja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian është shumë e rëndësishme për Kosovën, duke potencuar se marrja e pyetësorit dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian janë jetike.