Arbëri

Haxhimusa: Mosmiratimi i Strategjisë për Energji, dëshmi se Qeveria nuk e ka prioritet këtë sektor

Profesori Haxhimusa ka thënë se me gjithë të metat, Strategjia për Energjinë do të duhej të miratohej dhe të shërbejë si udhërrëfyes në vija të trasha. Ka kritikuar institucionet edhe për dështimin në dy dekada që të sigurojnë investime në kapacitetet gjeneruese për mbulimin e konsumit vendor. E për projektin e MCC-së për bateritë akumuluese, ka thënë se investitorët e vendeve të zhvilluara ende nuk i konsiderojnë si mundësi për të investuar në to, dhe se Kosova, sipas tij, nuk ka kapacitete të jetë pioniere dhe t`i menaxhojë në mënyrën më optimale

Vonesat e Qeverisë në miratimin e Strategjisë për Energji, sipas Adhurim Haxhimusës, tregojnë se ekzekutivi nuk e ka prioritet zhvillimin e këtij sektori.

Në një intervistë për KOHËN, Haxhimusa, ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikueshme të Grizonit në Zvicër, ka thënë se me gjithë të metat, kjo strategji do të duhej të miratohej dhe të shërbejë si udhërrëfyes në vija të trasha.

“Mungesa e miratimit të strategjisë pa dyshim se e rrit nervozizmin tek investitorët”, ka thënë ai në intervistë

Ka kritikuar institucionet se kanë dështuar që në dy dekada të sigurojnë investime në kapacitetet gjeneruese për mbulimin e konsumit vendor.

E për projektin e MCC-së për bateritë, ka thënë se investitorët e vendeve të zhvilluara ende nuk i konsiderojnë si mundësi për të investuar në to dhe se Kosova, sipas tij, nuk ka kapacitete të jetë pioniere dhe t`i menaxhojë në mënyrën më optimale dhe efikase këto kapacitete energjetike.

“Në aspektin ekonomik shtrohet edhe pyetja se cilat projekte po sakrifikohen nga shfrytëzimi i këtyre mjeteve në këtë teknologji”, është shprehur ai.

KOHA: Kosova gjatë dimrit pritet të përballet me krizë energjetike si pasojë e mosmbulimit të konsumit nga prodhimi vendor dhe e nevojës për import. Si e shihni situatën e fundit energjetike në Kosovë?

Haxhimusa: Ulja e temperaturave rrit nevojën për ngrohje. Qytetarët e Kosovës ngrohen kryesisht me dru, thëngjill, pelet dhe rrymë. Me kalimin e kohës, numri i familjeve që janë ngrohur me rrymë është rritur. Meqë vetëm një pjesë jo e madhe e Prishtinës dhe Gjakovës furnizohen me ngrohje nga sistemet e ngrohjes qendrore të qytetit, ulja e temperaturave për çdo vit e ka vendosur sektorin energjetik të Kosovës në një gjendje të rëndë të furnizimit, sepse gjenerimi vendor (kryesisht nga KEK-u) në kohë të pikut mbulon pak më shumë se 60 për qind të kërkesës. Në të kaluarën importet e energjisë elektrike siguroheshin me çmime relativisht të ulëta. Kjo ia mundësonte Kosovës të furnizonte qytetarët e saj me çmime të përballueshme. Varësia energjetike nga importet çdo herë e vë në rrezik të lartë furnizimin e qëndrueshëm. Dhjetëfishimi i çmimeve në bursat energjetike ka goditur rëndë furnizimin me energji elektrike dhe Kosova mori një mësim me çmim të lartë dimrin e kaluar. Prandaj, institucionet duhet të hartojnë strategji dhe korniza mbështetëse ligjore për të siguruar pavarësi energjetike në masë të gjerë, ku tregu është fuqia koordinuese e zhvillimit të sektorit energjetik dhe mundëson arritjen e miksit të kapaciteteve energjetike të nevojshme për sigurimin e furnizimit stabil me çmime të përballueshme.

KOHA: Cilët janë faktorët që kanë ndikuar që Kosova të mos jetë imune ndaj krizës që ka prekur vendet e BE-së si pasojë e luftës në Ukrainë?

Haxhimusa: Imuniteti i ulët i stabilitetit energjetik në Kosovë është kryesisht një problem i brendshëm. Institucionet e Kosovës kanë dështuar në dy dekadat e kaluara të sigurojnë investime në kapacitete gjeneruese të domosdoshme për mbulimin e konsumit vendor. Kjo e bëri të pamundur ngritjen e kapaciteteve gjeneruese për zëvendësimin e termocentraleve të stërvjetruara që në të njëjtën kohë do të mbulonin edhe rritjen e kërkesës për energji elektrike. Kjo e ka rritur me kalimin e viteve në masë të papranueshme varësinë energjetike nga importet. Mosha e impianteve gjeneruese që i ka Kosova na pamundëson të mbështetemi në to për shkak të defekteve të ndryshme e të paplanifikuara që shfaqen kohë pas kohe.

KOHA: Edhe gjatë verës ka pasur reduktime të energjisë si pasojë e rënies së blloqeve dhe mungesës së importit shkaku i çmimeve të larta dhe çështjeve të tjera, siç ka qenë mosalokimi i mjeteve të zotuara nga Qeveria për KEDS-in. Si i konsideroni rënien e shpeshtë dhe prishjet në blloqet e termocentraleve?

Haxhimusa: Mungesa e furnizimit stabil me energji elektrike edhe gjatë verës tregon shumë mirë se Kosova nuk mund të mbështetet në termocentrale të stërvjetruara për të siguruar furnizim të qëndrueshëm. Në gjendjen që janë blloqet gjeneruese, rënia e tyre jo vetëm që do të shpeshtohet, por edhe koha e nevojshme për riparimin e defekteve do të zgjatet. Kjo çon edhe në rritjen e kostos së sistemit elektroenergjetik.

KOHA: Sa është investuar në këto termocentrale dhe sa janë mundësitë që edhe në vitet e ardhshme të investohet?

Haxhimusa: Gjendja jostabile e termocentraleve kohëve të fundit tregon se a janë bërë investime të mjaftueshme në to. Çështja e investimeve që duhen bërë në këto termocentrale kërkon një analizë gjithëpërfshirëse të të gjitha përfitimeve energjetike, ambientale dhe kostove të shtrira në kohë, duke përfshirë edhe kostot oportune. Është me rëndësi të analizohen edhe humbjet ekonomike direkte dhe ato indirekte të konkurrencës që shkakton furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike.

KOHA: Së fundi u bë edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje me MCC-së që ka të bëjë me bateritë akumuluese, por të cilat nuk do të futen në funksion deri më 2025. Si e sheh këtë projekt?

Haxhimusa: Secili investim që bëhet në sektorin energjetik tregon se jemi duke i zgjidhur nyjat bllokuese të investimeve të dy dekadave të fundit. Kjo është një shpresë që institucionet vendore po e marrin guximin t`i shtyjnë përpara projektet për ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike. Transicioni energjetik dhe mirëmbajtja e një sistemi me energji të pastra kërkojnë investime në depo energjetike. Mirëpo unë jam ithtar i tregut të lirë si sinjalizues i mungesës apo tepricës energjetike dhe nevojave për investime në teknologji të caktuara. Si të tillë tregun e shoh si forcë shtytëse të investimeve në teknologji kompatibile dhe të nevojshme për sistemin energjetik, të cilat investitorët privatë i zgjedhin vetë, e jo qeveritë. Teknologjitë, sikurse kjo e baterive, investitorët e vendeve të zhvilluara ende nuk i konsiderojnë si mundësi për të investuar në to. Prandaj Kosova nuk besoj se ka kapacitete të jetë pioniere dhe t`i menaxhojë në mënyrën më optimale dhe efikase këto kapacitete energjetike. Në aspektin ekonomik shtrohet edhe pyetja se cilat projekte po sakrifikohen nga shfrytëzimi i këtyre mjeteve në këtë teknologji. Qeveria, po ashtu, nuk ka bërë ndonjë analizë të arsyeshmërisë ekonomike, sociale dhe energjetike të shfrytëzimit të këtyre mjeteve në këtë teknologji.

KOHA: Qeveria kishte premtuar se do ta miratojë Strategjinë për energji në mars të këtij viti. Megjithatë, strategjia nuk është miratuar ende, megjithëse është bërë publik drafti. Si i konsideroni këto vonesa dhe a do të ndikojë kriza energjetike në të menduarit ndryshe nga Qeveria sa i përket strategjisë?

Haxhimusa: Kriza energjetike evropiane ka bërë që investitorët të shohin qartë potencialin e lartë për investime në burime të ripërtëritshme të energjisë. Mungesa e miratimit të strategjisë pa dyshim se e rrit nervozizmin tek investitorët. Kjo vonesë tregon se Qeveria aktuale nuk e ka prioritet zhvillimin e sektorit energjetik. Me të gjitha të metat e saj, ajo duhet të miratohet dhe të shërbejë si udhërrëfyes në vija të trasha, ndërsa menjëherë duhet të fillojë rishikimi i disa elementeve për të bërë një harmonizim më të saktë të objektivave të saj. Duhet të kemi parasysh se mungesa e strategjisë mund të çojë në humbjen e investitorëve të mëdhenj që kanë kapacitet dhe kompetencë për investime në energji, që njihen për një shkallë të lartë të kompleksitetit si në procesin e implementimit, ashtu edhe në atë të operimit.

KOHA: Si e shihni versionin aktual të Strategjisë për Energji dhe masat e parapara në të?

Haxhimusa: Drafti i parë i kësaj strategjie ka vendosur caqe optimiste për investime në burime të energjisë nga era dhe dielli. Ekziston një mungesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe e mirë-strukturuar në sistemin elektroenergjetik. Kjo vërehet edhe në mungesën e një harmonie të caqeve të ndryshme. Aty vihet theksi në tregun e lirë si fuqi shtytëse e zhvillimit të sektorit energjetik, mirëpo ka pak elemente të një tregu të tillë.

KOHA: Në Strategji nuk përjashtohet as mundësia për investime në shtrirjen e infrastrukturës së gazit. Si e shihni një projekt të tillë për të ardhmen dhe a ndihmon ai në kalimin në energjinë e gjelbër?

Haxhimusa: Institucionet e Kosovës duhet të garantojnë një qasje neutrale ndaj teknologjive të ndryshme për sigurimin e furnizimit stabil. Nuk duhet t’ia krijojmë vetes luksin të refuzojmë njërën apo tjetrën teknologji. Vendet e zhvilluara e shohin gazin si teknologji që mundëson transicionin energjetik. Nëse ka arsyeshmëri ekonomike dhe ambientale në rrafshin afatshkurtër dhe afatgjatë në raport me teknologjitë e tjera, atëherë gazi duhet të analizohet si një mundësi dhe të shikohet nëse investitorët e vlerësojnë me të njëjtin sy. Duhet të përmendet fakti se llojet e gazit që përdoren ditëve të sotme si burim energjie janë burime fosile dhe si të tilla, një taksë ambientale do t`i bënte jo shumë atraktive.

KOHA: Deri në vitin 2050 parashihet që të mbyllen termocentralet dhe të kalohet në energji të gjelbër. Sa është e mundshme kjo?

Haxhimusa: Vendet perëndimore kanë vendosur që deri në vitin 2050 të ndërtojnë një sistem elektroenergjetik me efekte neutrale në ambient. Një sistem i tillë kërkon kapacitete të larta të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe depove energjetike (p.sh. hidrocentrale reverzibile, bateri, hidrogjen), integrim të tregjeve energjetike, dhe lidhje ndërsektoriale të sektorëve të ndryshëm energjetikë (“sector coupling”). Kosova duhet t`i ndjekë këta hapa.

KOHA: Cilat janë burimet e ripërtëritshme që kanë kapacitete të zhvillohen në Kosovë dhe sa do të krijonin stabilitet energjetik në vend?

Haxhimusa: Disa atlase të erës, diellit dhe ujit nuk janë shumë optimiste për Kosovën kur e vendosim atë në raport me vendet e tjera. Mirëpo kohëve të fundit po shohim presionin e investitorëve tek institucionet për t`i hapur dyert e investimeve për këto burime. Prandaj mund të them se potencialin e shohin dhe e analizojnë më mirë investitorët dhe është shumë me rëndësi që ata ta shohin sektorin energjetik atraktiv për investime.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.