Arbëri

Haxhimusa: Institucionet nuk ishin të përgatitura për tregun e liberalizuar të energjisë

Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë, ka shprehur kritika për institucionet e Kosovës për mënyrën se si është menaxhuar kalimi në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike për bizneset e mëdha.

Sipas tij, institucionet jo vetëm që nuk kanë përgatitur tregun, por as vetë nuk kanë qenë të gatshme për një hap të tillë.

“Reagimet e bizneseve dhe të Odës Ekonomike të Kosovës kanë qenë të pritshme dhe madje shumë të moderuara. Ata presin një përgjigje nga institucionet për kompromis, por siç e kemi parë, ZRRE-ja e ka marrë këtë vendim dhe nuk ka kthim mbrapa. Ajo ka qenë me duar të lidhura: ose të rriten çmimet për qytetarët mbi 16%, ose këto biznese të dalin në treg të lirë”, ka thënë Haxhimusa në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai theksoi se edhe pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) formalisht nuk bën politika sociale, në praktikë ajo po e mbron me çdo kusht konsumatorin familjar, duke u shërbyer bizneseve të mëdha si “kurban ekonomik”.

“Këto biznese mund të jenë vetëm 1% në numër, por janë shtylla kurrizore e ekonomisë. Ato hapin vende pune për shumë kompani të tjera më të vogla. Preken tërë zinxhirët ekonomikë”, theksoi ai.

Sipas Haxhimusës, Kosova ka pasur luksin të tërheqë investime të huaja përmes premtimit të çmimit të ulët të energjisë.

“Ne kemi garantuar çmime të ulëta dhe me këtë premtim kemi ftuar bizneset të investojnë në Kosovë. Sot, institucionet po e thyejnë atë premtim – dhe kjo është goditje për të ardhmen”, ka thënë ai.

Ai solli në vëmendje edhe praktikat ndërkombëtare.

“Në Gjermani, bizneset paguajnë 30-40% më pak për energji sesa amvisëritë. Edhe shumica e vendeve të rajonit kanë çmime më të favorshme për bizneset”, u shpreh ai.

Ai kritikoi mungesën e përgatitjes institucionale për zbatimin e këtij vendimi, duke theksuar se ligji ka qenë i shtyrë për më shumë se tetë vjet dhe përgatitja është dashur të fillojë një apo dy vite më herët, e jo vetëm dy muaj para hyrjes në fuqi.

“Ky vendim, në parim, ka qenë i gabuar, sepse ende kemi vakum institucional. Duhej të kishte pasur një debat të gjerë publik dhe përgatitje të mirëfilltë për një ndryshim kaq të rëndësishëm”, përfundoi ai.

Nga 1 qershori, kompanitë me mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor kanë dalë në tregun e hapur të energjisë. Para hyrjes në fuqi të vendimit, bizneset kanë protestuar duke bllokuar për dy orë pjesërisht hyrjet kryesore të Prishtinës. Ata kanë thënë se ky vendim ka pasoja të mëdha për kompanitë e tyre.