Arbëri

Gjykata vendos për rastin e fëmijëve të familjes Pacolli nga Janjeva

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan ka vendosur për rastin e fëmijëve të Vllaznim Pacollit nga fshati Janjevë të cilit në fillim të këtij viti Qendra për Punë Sociale në Lipjan ua pati marrë katër fëmijë me qëllim të mbrojtjes së tyre nga nëna e cila kishte probleme psikike.

Për këtë rast disa herë pati raportuar KOHA duke i përcjellë në vazhdimësi zhvillimet që ndërlidhen me këtë rast. Familja Pacolli nga Janjeva e Lipjanit ende nuk e ka dorëzuar në strehimore edhe një fëmijë tjetër të moshës 9-vjeçar të cilin po ua kërkojnë institucionet me qëllim të mbrojtjes së tij, por këto kërkesa i ka shpërfillur kjo familje duke e larguar fëmijën nga shtëpia.

Gjykata Themelore në Prishtinë Dega në Lipjan, nëpërmjet një Aktvendimi të cilin e ka siguruar KOHA, ka caktuar masën e përkohshme dhe urdhërohet largimi i fëmijës nga përkujdesi prindëror deri në marrjen e vendimit meritor nga ana e kësaj Gjykate në lidhje me privimin e kujdesit prindëror të prindërve Pacolli.

“Urdhërohen kundërpropozuesit, prindërit Pacolli që të dy nga fshati Janjevë të Komunës së Lipjanit, që fëmijën e tyre të mitur t’ia dorëzojnë organit të kujdestarisë nën përkujdesje në afat prej tre ditësh nga dita e marrjes së këtij aktvendimi nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës.

Sipas këtij dokumenti, një kopje të së cilit e posedon KOHA, thuhet se fëmijët edhe më tutje mbesin nën përkujdesjen e organit të kujdestarisë, pikërisht Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, sipas deklaratave në procesverbale të datës 13.01.2022 të hartuara nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan. Kjo Gjykatë tashmë ka caktuar disa zyrtar të Qendrës për Punë Sociale si kujdestar për fëmijët e familjes Pacolli nga Janjeva.

“Detyrohet organi i Kujdestarisë- Qendra për Punë Sociale në Lipjan, që fëmijëve t’ia sigurojë mbrojtjen e posaçme përmes formave të mbrojtjes konform nenit 7 të LFK-së”, thuhet midis të tjerash në aktvendim. Po ashtu sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, detyrohet organi i kujdestarisë, pikërisht Qendra për Punë Sociale që kundërpropozuesve apo prindërve Pacolli, t’ia mundësoi kontaktin dhe vizitat me fëmijët e tyre për çdo javë dhe atë duke filluar çdo të premte nga ora 13:00 deri në ora 14:00.

Në anën tjetër KOHA, të mërkurën dhe të enjten, ka kontaktuar me kryefamiljarin Vllaznim Pacolli nga fshati Janjevë i cili ka thënë se institucionet publike po ua kërkojnë edhe fëmijën e nëntë vjeçar për ta dërguar në strehimore.

“Ne nuk jemi duke përdorur dhunë ndaj djalit i cili është i vetëdijshëm dhe po shkon në shkollë, ne nuk duam që edhe atë ta dërgojmë në strehimore sepse fëmijët e tjerë na i mori shteti në përkujdesje. Djali nëntë vjeçar nuk po dëshiron të shkon në strehimore po ashtu po ka shumë frikë të ndahet nga ne. Unë personalisht po kujdesem vazhdimisht për djalin, prandaj kërkoj që mos të ma marrin edhe këtë”, ka thënë Pacolli.