Arbëri

Kryefamiljari ankohet se shteti ia mori padrejtësisht katër fëmijë, arratiset me të pestin

Kryefamiljari Vllaznim Pacolli thotë se vetëm bashkëshortja ka probleme mendore, andaj personalisht mund të kujdesej për fëmijët e vet. Kërkon nga institucionet t’ia rikthejnë fëmijët. Ankohet se zyrtarët e QPS-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës vazhdimisht po i kërkojnë edhe fëmijën tjetër 9-vjeçar, i cili tashmë e ka braktisur shtëpinë nga frika
 

Me rekomandim të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Vllaznim Pacollit i janë marrë katër fëmijët me arsyetim se nëna e tyre ka probleme mendore. Me djalin 9-vjeçar është fshehur kodrave. Thotë se institucionet s’kanë bazë për këtë veprim dhe zotohet se mund të kujdeset vetë për fëmijët

Vllaznim Pacollit nga Janjeva e Lipjanit i kanë mbetur në shtëpinë e tij vetëm gjësendet e pesë fëmijëve. Qendra për Punë Sociale në Lipjan i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që fëmijët e kësaj familjeje t’i dërgojë në një strehimore në Prishtinë me arsyetim se nëna e tyre ka probleme mendore dhe gjatë kohës së fundit kishte qenë e shtrirë në Spitalin e Psikiatrisë. Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta merrte edhe djalin e madh 9-vjeçar, derisa ai prej disa ditësh ka ikur nga shtëpia dhe po qëndron te të afërmit e herë pas here po qëndron i vetëm në kodër të fshatit.

Kryefamiljari Vllaznim Pacolli thotë se vetëm bashkëshortja ka probleme mendore, andaj personalisht mund të kujdesej për fëmijët e vet. Kërkon nga institucionet t’ia rikthejnë fëmijët. Ankohet se zyrtarët e QPS-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës vazhdimisht po ua kërkojnë edhe fëmijën tjetër 9-vjeçar, i cili tashmë e ka braktisur shtëpinë nga frika.