Komuna e Lipjanit gjatë ditëve të fundit ka bërë rrënimin e ish-objektit të vjetër të administratës pasi që i gjithë stafi tashmë ka kaluar në objektin e ri.
Por, gjatë punimeve të rrënimit në ish-oborrin e objektit të vjetër është dëmtuar kioska digjitale për nxjerrjen e certifikatave dhe dokumenteve të tjera të administratës.
Përfaqësues të opozitës kanë thënë se dëmtimi i kioskes nuk është dashur të lejohej, ndërsa nga Komuna kanë thënë se ajo ka qenë jashtë funksionit për më shumë se një vit dhe se pas servisimit ajo do të vendoset në një vend tjetër.
Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së ka thënë se komuna dhe punëkryesi kanë qenë të papërgjegjshëm për ruajtjen e aseteve publike, andaj ka kërkuar llogaridhënie nga drejtoria e Administratës.
“Nuk është dashur të lejohet dëmtimi i kioskës digjitale sepse për vendosjen e saj disa vjet më parë nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar mijëra euro, andaj pamjet e tilla të kësaj kioske janë shqetësuese për të gjithë ne. Kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga komuna për dëmtimin e kësaj kioske, megjithëse ajo prej kohësh nuk është duke funksionuar”, ka thënë Jashari.
Në anën tjetër Elmaze Behluli, drejtoreshë e Administratës në Komunën e Lipjanit, ka thënë se kioska është jashtë funksionit prej më shumë se një vjet e gjysmë shkaku i një defekti teknik, andaj punonjësit kanë nisur ta çmontojnë atë për ta dislokuar diku tjetër.
“Vetëm në atë mënyrë siç është fotografuar ajo kioskë duhet të çmontohet, mirëpo dikush ka qenë afër saj në atë moment kur punëtorët kanë qenë duke punuar dhe e kanë fotografuar me qëllim të keq. Sidoqoftë kioska nuk ka funksionuar prej një viti e gjysmë, por nëse tash ka nevojë për servisim ne do ta bëjmë dhe do ta funksionalizojmë sërish”, ka sqaruar Behluli.
Në zgjedhjet e fundit lokale kryetari i Komunës Imri Ahmeti pati premtuar se do të rrënonte ish-objektin e vjetër dhe në atë vend do të ndërtonte një park dhe një parking nëntokësor.
{gallery}