Arbëri

Gashi: Janë përmbushur kushtet që të nisin procedurat për ta hequr Listën Serbe nga lista e partive

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kushtet që institucionet e Kosovës të nisin procedurat për ta larguar Listën Serbe nga lista e subjekteve politike në Kosovë.

Siç ka thënë ai, procedurat nuk paraqesin problem, por se sipas tij duhet të ecet më hapa më të shpejtë nga institucionet e drejtësisë. Ai ka thënë se gjyqësori duhet të marrë vendim më shpejt që anëtarë të kësaj partie kanë qenë pjesë e aktiviteteve të jashtëligjshme që cenojnë integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës. Sipas tij, rasti më i qartë ka qenë sulmi terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s, kur nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit.

“Mbështetur në ligjet në fuqi dhe përgjegjësitë që ky subjekt ka, janë mbushur të gjitha kushtet që të nisin procedurat për ta larguar këtë subjekt nga lista e subjekteve politike në Kosovë, sepse nuk ka respektuar standardet dhe përgjegjësitë që i ka mbështetur në Kushtetutë dhe ligj për të mbrojtur interesin e qytetarëve, në këtë rast të minoritetit serb. Por i ka përdorur të gjitha mjetet që të zhvillojë ndaj qytetarëve të këtij minoriteti presion dhe aktivitete të tjera për ta penguar ushtrimin e përfaqësimit në nivelin lokal dhe atë qendror të përfaqësuesve të minoritetit serb”, ka thënë Gashi në “60 Minuta” në KTV të enjten.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë refuzoi certifikimin e kësaj partie për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit. Megjithatë Paneli Zgjedhor refuzoi vendimin duke urdhëruar certifikimin e saj. Zyra për Regjistrim të partive ka thënë se partia plotëson kushtet e kërkuara për t’u lejuar të marrë pjesë në zgjedhje. Rasti është dërguar në Gjykatën Supreme.

Gashi ka thënë se Kosova duhet të marrë shembuj shtete të tjera, që kanë çregjistruar më shpejtë subjektet me aktivitete të dyshimta, teksa ka përmendur Spanjën e Gjermaninë.

Ai ka thënë se Igor Simiqi nga Lista Serbe nuk mund të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit për shkak të faktimit se ai ka qenë i involvuar direkt në aktivitete kundër integritetit territorial të Kosovës. Sipas tij, në aspektin ligjor ai nuk ka pengesa, por në aspektin moral janë përmbushur kushtet që ai të mos lejohet të bëhet nënkryetar.

Gashi ka thënë se duhet të ketë ndryshim edhe në ligjin për zgjedhjet që të gjithë ata që janë në lista, t’u hetohet e kaluara kriminale. Ka thënë se duhet një riformatim edhe në institucionet e sigurisë për përshpejtim të procedurave në raste të kërkesave që vijnë nga Prokuroria për subjektet që mund të bëhen bartëse të përgjegjësisë publike.