Arbëri

Baraliu: S’ka shkelje kushtetuese për votimin e Rashiqit

Mazllum Baraliu

Profesori i çështjes juridike Mazllum Baraliu ka thënë se nuk përbën shkelje kushtetuese mënyra se si po votohet aktualisht në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e pakicës serbe. 

Në të kaluarën votimi për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë ka shkuar në pako, ndërsa kësaj radhe kryeparlamentari Dimal Basha mori vendim për ndarjen e votimit për nënkryetar. U votua ndaras për nënkryetar nga komunitetet joshumicë joserbe dhe po votohet tash për nënkryetar nga komuniteti joshumicë serb. 

Konstituimi i Kuvendit ka mbetur i bllokuar te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e pakicës serbe. 

Tre deputetë e gjashtë raunde votimi kanë mbetur në “lojë”, në fazën e fundit të konstituimit të Kuvendit - zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Në garë kanë mbetur dy deputetët e Listës Serbe, Igor Simiq e Miljana Nikoliq, dhe deputeti i Partisë së Pavarur Liberale, Nenad Rashiq.
Rashiqi në dy raunde votimi nuk mori votat e nevojshme. Seanca e radhës mbahet të shtunën. 

Baraliu thotë se Kushtetuta qartazi lejon votimin që po aplikohet. 

“Kemi të bëjmë me praktikë parlamentare që është zbatuar më herët, nënkryetarët e pakicave janë zgjedhur në pako. Ka qenë mënyrë e veprimit, efikase, marrëveshtore krejt në rregull. Por, s’do të thotë se kjo nuk mund të organizohet në këtë rast ndryshe. Kompleksiteti i problematikës, bllokadës e lojërave politike të subjekteve politike ka qenë shumë më intensive. Praktika parlamentare nuk është normë juridike. Norma kushtetuese, neni 67, paragrafi 4 qartazi lejon mundësinë të votohet siç po pretendohet dhe përpiqet që Kuvendi ta bëjë”, ka thënë Baraliu në “Interaktiv” të KTV-së. 

Baraliu ka thënë se deputetët duhet shfrytëzuar mundësinë dhe të votojnë, pasi në të kundërtën vendi do të futet në një krizë tjetër që s’ka fund. 

“Nuk ka definim as shpjegim çfarë duhet bërë më pas. As Kushtetuesja s’mund ta bëjë, që edhe një herë tjetër kur kalon fati 30 ditor, të jap afat tjetër 30 ditor. Do të ishte tejkalim i asaj që quhet kompetencë e saj në interpretim të Kushtetutës”, ka thënë Baraliu. 

Baraliu luti deputetët të votohet e të konstituohet Kuvendi, pasi tha se shteti është në rrezik. 

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk po marrin fare pjesë në votim, me pretendimin se po bëhet shkelje Kushtetuese pasi u nda votimi për nënkryetarët nga komunitetet. Ndërkohë deputetët e PDK-së kanë abstenuar. Edhe PDK e AAK-ja kanë  pretenduar se mënyra e votimit është jokushtetuese. 

Lista Serbe ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. 

Publicisti Veton Surroi, përmes një statusi në Facebook ka shkruar se Kushtetuta e Kosovës nuk jep të drejtë monopoli për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas tij, të drejtën e propozimit, sipas Rregullores së Kuvendit e ka shumica e përfaqësuar e atij komuniteti, por të drejtën e zgjedhjes e kanë deputetët e Kuvendit.

Ka deklaruar se e drejta e propozimit mbaron me propozim, duke shtuar se pastaj hyn e drejta e deputetëve që për këtë propozim të votojnë sipas vullnetit personal.