Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka kritikuar Qeverinë në detyrë se nuk po u përgjigjet kërkesave për buxhet të këtij institucioni.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se sot janë bërë 30 ditë që nga momenti kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka adresuar një kërkesë zyrtare për buxhet shtesë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, në funksion të organizimit të Zgjedhjeve Lokale 2025.
Gashi ka deklaruar Qeveria nuk ka kthyer asnjë përgjigje, ndonëse kjo sipas tij, përbën jo vetëm një papërgjegjësi institucionale, por edhe shkelje të detyrimit ligjor të përcaktuar në Nenin 113 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku thuhet qartë: “Qeveria e Kosovës financon mbajtjen e zgjedhjeve.”
“Kjo është një situatë e paprecedentë për KQZ-në, asnjëherë më parë në historinë e proceseve zgjedhore në Kosovë nuk ka ndodhur që një kërkesë për buxhet të injorohet në këtë mënyrë, duke rrezikuar drejtpërdrejt organizimin e zgjedhjeve dhe besimin publik në procesin demokratik. Si anëtar i KQZ-së, kam ngritur këtë shqetësim në dy mbledhjet e kaluara dhe kam kërkuar që Sekretariati i KQZ-së të na informojë mbi statusin e kërkesës për buxhet shtesë. Por, deri më sot, nuk është ofruar asnjë informacion konkret”, thuhet në reagimin e tij.
Për më tepër, ka shtuar se, mbledhja e sotme e KQZ-së, në të cilën pritej që të adresohej ky shqetësim, është shtyrë vetëm dy orë para se të mbahej, për shkak të mungesës së përgjigjes nga Qeveria.
Sipas tij, kjo tregon qartë se organizimi i zgjedhjeve po cenohet me dijeni të plotë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa përgjegjësia po tentohet të bjerë padrejtësisht mbi KQZ-në.
“Sipas informatave që na janë dhënë, Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së ka përgatitur një raport vlerësues, në të cilin planifikohet rishpërndarja e mjeteve ekzistuese buxhetore, për t’u përdorur për zgjedhjet lokale. Ky veprim nuk është kërkuar dhe as miratuar nga anëtarët e KQZ-së dhe nuk është i mjaftueshëm e as zgjidhje e qëndrueshme. Ne këmbëngulim që Qeveria të përgjigjet zyrtarisht dhe pa vonesa, sepse financimi i zgjedhjeve është detyrim kushtetues dhe ligjor, jo opsion politik. Institucionet e Kosovës (Presidenti), publiku kosovar dhe spektri politik duhet të informohen për këtë situatë, sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të mbajë një barrë që s’është e tij”, ka shtuar tutje ai.