Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimet për rritje ekonomike të vendeve evropiane për një për qind krahasuar me rritjen që kishte paraparë në janar.
Lufta në Ukrainë sipas këtij institucioni do të ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe se inflacioni do të arrijë në nivelin më të lartë në dekadë për shumë vende.
Në prezantimin e FMN-së të perspektivës ekonomike për Evropën, shefi i FMN-së për Kosovën, Gabriel DiBella, ka thënë se lufta po e kthen mbrapa rimëkëmbjen evropiane.
“Çmimet e energjisë do të rriten edhe më shumë. Kjo do të rritë edhe çmimet e mallrave ushqimore... Janë të nevojshme politikat fiskale që ofrojnë ndihma të përkohshme dhe të targetojnë ata që do të prekën më shumë nga kriza. Disa vende tashmë e kanë bërë këtë për të zbutur sadopak ndikimin tronditës së ekonomive familjare më të cenueshme dhe ekonomive të prekura”, ka thënë DiBella.
Sipas FMN-së vendet nuk duhet të heqin dorë nga objektivat që kishin para pandemisë dhe të fokusohen në politika të gjelbra të energjisë, si dhe në tregje fleksibile.
Eriola Biboli, drejtoreshë e “ProCredit Bank” e ka parë të arsyeshme rishikimin e çmimeve të energjisë për biznese.
“Në kontakt me bizneset ne shohim se kostoja e imputeve po rritet. Çmimi i karburanteve po rritet, çmimi i mallrave ka rritje të madhe, çmimi i transportit është rritur dhe kostoja e fuqisë punëtore po rritet çdo ditë dhe bizneset po e ndiejnë këtë. Kjo kosto do t’u bartet konsumatorëve fundorë, që tashmë e kanë ndierë, por sidoqoftë ka një limit se sa gjatë margjinat e fitimit do të ndikohen nga ky zhvillim”, është shprehur Biboli.
Petrit Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se sa më shumë që zgjat konflikti në Ukrainë pasojat do të jenë më të mëdha në Kosovë.
“Nëse problemet vazhdojnë në vendet që ne mbështetemi qoftë për tregti, investime të huaja direkte apo remitenca, ndikimi në ekonominë tonë do të jetë problematik”, pohoi Gashi.
FMN-ja parasheh rreziqe të reja nëse përshkallëzohen luftimet dhe ndërpritet furnizimi me energji.
Sfidat kryesore, sipas FMN-së, janë kujdesi për refugjatët, ndihmat për familjet në nevojë për përballje me çmime të larta të energjisë dhe të produkteve ushqimore.