Protesta e radhës e organizuar nga OVL-UÇK në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, është paraparë të mbahet në Shkup më 13 dhjetor, konkretisht në sheshin “Skënderbeu”.
Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup, ka deklaruar se tashmë për këtë protestë kanë bërë dy kërkesa në qytetin e Shkupit dhe se janë në pritje të lejes për ta mbajtur protestën. Ai po ashtu theksoi se iu është kërkuar ta paguajnë një taksë komunale dhe pagesa për të është bërë.
“Konform ligjit për organizim të protestës kemi adresuar dy kërkesa për protestë në qytet të Shkupit, konform ligjet për vetëqeverisjes lokale për sheshet dhe lokalet kompotent është qyteti i Shkupit kemi bërë kërkesa para dy javë dhe të njëjtën kërkesë e kemi bërë para një jave, kemi marrë një konkluzion për ta paguar taksën komunale gjë që e kemi bërë, dhe jemi në proces e sipër për të na dhënë lejen. Nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pengesë për arsye se kjo është e drejtë kushtetuese në vendin tonë, jemi shtetas në vendin tonë. Kjo protestë nuk është e adresuar kundrejt ndonjë entiteti kjo është protestë mbi partiake puro shqiptare dhe këtë protestë shqiptarët nuk duhet ta përkrahin parimisht por realisht”, theksoi ai.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi se protesta në Shkup, ashtu sikurse edhe në vendet tjera ka qenë thirrje për drejtësi. Ai beson se protesta do të jetë masive.
“Qëllimi jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerët të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne nuk i thërrasim protestat dhe nuk i kemi thirrë asnjëherë që të kundërshtojmë ose kundër drejtësisë. Çdo individ që i përgjigjet kësaj proteste flet në vete dhe kërkon drejtësi. Atje është duke ndodhur padrejtësi. Kjo gjykatë është politike. Iu bëjmë thirrje dhe ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim feje, pa dallim politike, partitë politike, qytetarët e OJQ-të, që të vijnë në protestë t’i shprehim pakënaqësitë tona dhe të kërkojmë drejtësi dhe protesta të jetë e qetë dhe e dinjitetshme. Besojmë që protesta do të jetë masive dhe ftesa jonë është pa dallim që të kërkojmë që krerët të lirohen,”, deklaroi ai.
Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është e pesta me radhë. Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protestë e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasburg.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Që të katër janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar./KSP