Prej dhjetorit të vitit të kaluar ashensori kryesor i Klinikës Emergjente nuk punon. Pacientët dhe stafi përdorin një tjetër, që ndodhet larg tij dhe është edhe me kapacitet më të vogël. Jashtë funksionit ndodhen edhe 8 ashensorë të tjerë të QKUK-së. Ata nuk janë servisuar, ndonëse kontrata precizon se defektet duhen rregulluar më së largu për 5 ditë
Ashensori kryesor i Klinikës Emergjente në QKUK qe 6 muaj është tërësisht jashtë funksioni.
Për pasojë, pacientët në gjendje emergjente që u duhen ekzaminime specialistike, barten në katet më të larta me ashensorin e klinikave të tjera e që ka kapacitet më të vogël.
Njoftimi se ashensori kryesor nuk punon, qëndron i ngjitur në derë prej fillimit të vitit.
Ai nuk është rregulluar, ndonëse për servisimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve, QKUK-ja ka pasur kontratë aktive deri më 12 prill.
Kontrata e lidhur në 2022-tën me kompaninë “Ejona Sh.p.k” ka vlerë rreth 200 mijë euro. Me të parashihet mirëmbajtja dhe servisimi i 45 ashensorëve brenda 36 muajve.
Në dosjen e tenderit janë të listuara specifikat teknike të detyrueshme, në të cilat theksohet se kur ka prishje, duhet të intervenohet shpejt.
“Koha e intervenimeve në rast të prishjeve të jetë brenda 20 minutave. Në rast të pamundësisë për të rregulluar ose kthyer në funksion ashensorin brenda një kohe të shkurtër, kompania duhet ta njoftojë mbikëqyrësin për arsyet e prishjes dhe të tregojë kohën kur ashensori do të kthehet në funksion”, theksohet në specifikat teknike të detyrueshme.
Sipas kontratës, në rast se ashensorit duhet t’i riparohet ndonjë pjesë, puna duhet kryer më së largu për 5 ditë.
Përfaqësues të kompanisë së kontraktuar nga QKUK-ja thanë se ashensori i emergjencës është i pariparueshëm.
“Ky ashensor është vlerësuar si i rrezikshëm për përdorim, pasi është mbi 45 vjet i vjetër, i amortizuar 100% dhe i paarritshëm për riparim. AK-ja (autoriteti kontraktues) e ka shpallur tenderin për zëvendësimin e tij dhe ka ndërprerë pagesën për atë njësi”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Ejona”.
Edhe në disa klinika të tjera, ashensorët nuk funksionojnë. Të tillë ka në Klinikën e ORL-së dhe në atë të Internos, e me të cilët bëhet bartja edhe në klinikat ngjitur.
Në QKUK bënë të ditur se jashtë funksionit aktualisht janë 9 ashensorë, por nuk treguan se pse ende nuk është gjetur zgjidhje për ashensorin e Emergjencës.
“Sipas informatës nga përgjegjësi i njësisë punuese të ashensorëve: jashtë funksionit janë 9 ashensorë dhe presim që brenda një afati të shkurtër do të aktivizohen, kurse aktualisht aktiviteti i prokurimit për servisim dhe mirëmbajtje të ashensorëve është në proces të ankimimit”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Për mirëmbajtjen dhe servisimin e ashensorëve, QKUK-ja ka hapur tender të ri më 18 mars, rreth një muaj para se të skadonte kontrata.
E ky aktivitet i prokurimit është pezulluar, meqë prej 23 prillit ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesës së një operatori ekonomik.