Arbëri

Ekspertet theksojnë mundësinë e nënraportimit të traumës nga viktimat, mbrojtja i vë në dyshim motivet

Dy ekspertet e shëndetit mendor, të thirrura nga mbrojtësi i viktimave, e kanë përfunduar të enjten dëshminë e tyre në Gjykatën Speciale në Hagë. Ato janë ballafaquar me pyetjet e avokatëve mbi besueshmërinë e simptomave të raportuara nga viktimat, pasi që kanë theksuar se mund të jenë ekzagjeruar për të arritur qëllime personale

Besueshmëria e simptomave të raportuara nga personat që e kanë statusin e viktimës në Hagë dhe burimi i traumave të tyre janë kontestuar në seancën e së enjtes në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), ku i kanë përfunduar dëshmitë dy eksperte të shëndetit mendor.

Raporti i hartuar nga ekspertet e propozuara nga mbrojtësi i viktimave i ka analizuar deklaratat e disa personave, të cilët pretendojnë se janë mbajtur të ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë kohës së luftës në Kosovë. 

Ekspertiza është zhvilluar në përputhje me Protokollin e Stambollit, një dokument udhëzues ndërkombëtar për dokumentimin e torturës dhe pasojave të saj, në veçanti atyre psikologjike.
Avokati i Jakup Krasniqit, Victor Baieshu, i është referuar këtij protokolli, tek e ka vënë në dyshim besueshmërinë e deklarimeve.

“Në protokollin e Stambollit përmendet edhe mundësia që disa njerëz në mënyrë false mund të pretendojnë që janë torturuar e të tjerë mund ta ekzagjerojnë një situatë për arsye politike ose personale... Një kërkesë për azil mund të jetë një prej arsyeve personale që ta bëjë një person që ta ekzagjerojë, zmadhojë apo të shpikë simptoma?”, ka theksuar avokati Baieshu.

E këtë mundësi e ka pohuar psikologia Karin Duhne-Prinsen, e ftuar si dëshmitare në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët”.

Duhne-Prinsen ka theksuar, po ashtu se raporti mbështetet në simptomat e vetëraportuara dhe se nuk është bërë verifikim nëse personat kanë aplikuar për azil apo e kanë pasur ndonjë motiv tjetër.

Porse psikiatrja Catherine Nicola-Black ka thënë se përvoja klinike dhe konteksti në të cilin janë marrë deklaratat e sugjerojnë të kundërtën.

“Opinioni ynë, prej ekspertësh, është që përderisa ambienti, mjedisi ku janë raportuar këto simptoma nuk është projektuar që të merren këto simptoma dhe përderisa ne si profesionistë e dimë që është shumë e vështirë që personat të raportojnë simptoma, ne mendojmë që ka më shumë gjasa që të ketë një nënraportim të simptomave ose, thënë me fjalë të tjera, që simptomat e raportuara nga viktimat janë shumë më pak sesa që janë në realitet”, ka thënë Nicola-Black.  

Ajo ka shtuar se traumat e përshkruara janë të zakonshme për viktimat e ndalimit dhe të keqtrajtimit, si në literaturën mjekësore, ashtu edhe në përvojën klinike.

E, anëtari i trupit gjykues, Fergal Gaynor, e ka pyetur psikiatren nëse në raport përmendet se cila palë në konflikt i ka shkaktuar traumat.

“Në Kosovë rreth 65 për qind e popullsisë kanë përjetuar ngjarje traumatike gjatë luftës, që kanë çuar në mbi 400 mijë individë të traumatizuar. Në këtë fjali, a e kuptoj saktë se kjo traumë mund të jetë shkaktuar nga cilado palë që merr pjesë në konflikt”, ka pyetur Gaynor.

“Burimet nuk saktësohen aty”, i është përgjigjur psikiatrja Nicola-Black.

Me dëshminë e dy eksperteve të shëndetit mendor, mbrojtësi i viktimave e ka përmbyllur paraqitjen e dëshmitarëve. Seanca e radhës pritet që të mbahet të martën, ku do të shqyrtohet ecuria e mëtejme e procesit.