Arbëri

Draft-rishikimi thellon deficitin buxhetor në 466 milionë euro

Draft-rishikimi i buxhetit i miratuar në Qeveri parasheh vetëm 66 milionë më shumë të hyra sesa buxheti aktual. Por shpenzimet do të rriten për 150 milionë euro. Kjo vlerë pritet që të shkojë në subvencione dhe transfere.

Në tabelën e siguruar nga KOHA shihet se të hyrat do të jenë në nivel prej 2 miliardë e 430 milionë eurosh, ndërsa në buxhetin aktual ato janë 2 miliardë e 364 milionë euro.

Ndërsa shpenzimet pritet të arrijnë në nivelin e afro 2 miliardë e 900 milionë eurove, nga 2 miliardë e 747 milionë sa janë aktualisht në buxhet.

Rritja e shpenzimeve pritet të thellojë deficitin buxhetor. Nga 383.3 milionë euro, me rishikim deficit do të jetë 466.5 milionë euro.

Sikurse ligji aktual, as Draft-buxheti i rishikuar nuk parasheh koston e Ligjit për paga, të cilin po e kërkojnë sindikatat e sektorit publik, e që kanë paralajmëruar grevë nga 20 prilli.

Rishikimin e buxhetit në këtë kohë e ka arsyetuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Është parë e nevojshme që të kemi një rishikim të jashtëzakonshëm që të reflektohen këto të hyra, por edhe në raport me ndërhyrjen për mbështetje të qytetarëve. Në përgjithësi vlera që shtohet e buxhetit është 150 milionë e 500 mijë euro dhe rishikimi bëhet vetëm në Ministrinë e Financave në programin e ringjalljes ekonomike”, ka thënë ai.

Në Draft-buxhetin e propozuar nuk parashihen ndryshime tek shpenzimet kapitale. Ato pritet të jenë njësojë - 704.4 milionë euro.

Buxheti për 2022 parasheh vetëm 108 milionë euro për ringjallje ekonomike.

Ditë më parë Qeveria ka prezantuar një pako 100-milionëshe për përkrahje me nga 100 euro për rreth 800 mijë qytetarë.