Arbëri

Dështimi në pushim, Kushtetuesja pritet të vendosë si t’i jepet fund

Seanca Konstituive

Foto: Driton Paçarada

Shpërndarja e legjislaturës së nëntë pritet të jetë pasoja për të cilën do të përcaktohet Gjykata Kushtetuese, pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin. Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë po ashtu se mungesa e institucioneve do të vazhdojë të shkaktojë pasoja të mëdha, saqë do të duhet shumë punë për t’u kthyer gjendja e parazgjedhjeve të 9 shkurtit

Më shumë se tre muaj nga betimi e pa kryer ndonjë punë, deputetët e legjislaturës së nëntë kanë nisur pushimin. Nga e diela e më së largu deri më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar çfarëdo veprimi apo vendimi nga Kuvendi. Kjo masë e përkohshme u vendos derisa ky institucion të shqyrtojë tri lëndët që ka në trajnim në lidhje me konstituimin e Kuvendit. Kushtetueses në fillim të korrikut i janë drejtuar Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike derisa më vonë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Eugen Cakolli, hulumtues     në Institutin Demokratik të Kosovës, pret që Kushtetuesja të ndëshkojë legjislaturën e nëntë për moskonstituim brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, me përfundimin e saj.

“Unë pres dhe besoj që Gjykata Kushtetuese në kuadër të përcaktimit të pasojave juridike të përcaktojë që meqenëse Kuvendi ka dështuar ta përmbushë obligimin e tij kushtetues, i njëjti ka humbur legjitimitetin për të ekzistuar në përbërjen aktuale. Kjo nuk nënkupton marrje të mandateve individualisht për deputetët, por humbje të mandatit të Kuvendit si institucion kushtetues”, ka thënë ai në një deklarim për KOHA-n, të shtunën mbrëma.

Cakolli pret po ashtu që Gjykata të përcaktojë edhe se në çfarë mënyre duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit e të definojë kompetencat e udhëheqjes së seancës konstituive nga deputeti më i vjetër.
Të dielën, ai ka thënë situata në të cilën gjendet vendi është e paprecedentë “me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje”.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe mbi 100 ditore është shpërfaqur mungesa e përgjegjësisë politke e është refuzuar kompromisi. “Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara”, ka shkruar Cakolli.

Të shtunën ka përfunduar afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit. Ky vendim i gjykatës erdhi pas shqyrtimit të lëndës së dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më 12 maj, pas disa dështimeve të konstituimit të Kuvendit e tentimit të Lëvizjes Vetëvendosje që zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ta bëjë përmes votimit të fshehtë.

Në dy ditët e fundit, të premten e të shtunën, u bënë tri përpjekje për të përmbyllur seancën konstituive, por pa rezultat.  Me këto tentime dështimet për konstituimin e Kuvendit arritën në 54 sish.

Kësisoj Kosovës i mungojnë institucionet e reja dhe që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit është e drejtuar nga qeveria në detyrë. Sipas analistit Artan Muhaxhiri, në mungesë të institucioneve Kosova do të ketë pasoja në aspektin politik e ekonomik, të brendshëm e të jashtëm. 

“Faktikisht ne vështirë se mund ta kemi idenë se sa kemi humbur me këtë bllokadë në të gjitha aspektet, në aspektin politik, në aspektin ekonomik, në aspektin e brendshëm, në aspektin e jashtëm. Pra, Kosova është duke humbur miq, Kosova është duke humbur imazh, Kosova do të duhej që të punojë shumë në mënyrë që të kthehet në pikën e 9 shkurtit, prej kur ka filluar kjo sagë. Është një humbje e jashtëzakonshme, humbja më e madhe është humbja e besimit të qytetarëve në klasën politike, në vendimmarrësit tanë”, ka thënë ai, në një deklaratë për EO.

Seanca konstituive e Kuvendit është hapur më 15 prill. Të zgjedhurit nga procesi zgjedhor i 9 shkurtit dhanë betimin katër ditë më vonë, në tentimin e tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Rrugëtimi mbi 100 ditësh që nuk çoi askund

Saga mbi tremujore, ende e papërfunduar për konstituimin e Kuvendit, është karakterizuar me situata të ndryshme: nga refuzimi për verifikimin e mandatave, dështimi për t’i siguruar 61 votat e nevojshme nga Lëvizja Vetëvendosje për të propozuarën e tyre, e deri tek insistimi për votimin e fshehtë. Janë plot 54 tentime për konstituimin e legjislaturës së nëntë dhe kjo zvarritje nuk është e vetmja ndër vite.

Deputetët e legjislaturës së re të Kosovës, kanë bërë rreth 4 orë e gjysmë punë, që nga nisja e seancës konstituive të Kuvendit, gati tre muaj e gjysmë më parë. Në vendin e tyre të punës ata u shfaqen çdo dy ditë e detyrën e përfundonin për pothuajse 5 minuta.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë u hap më 15 prill. Punimet e seancës konstituive u hapën atë ditë por u ndërprenë qysh në shqyrtimin e pikës së parë, atë të verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur. Tri partitë deri tash në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i kundërshtuan mandatet e anëtareve të Qeverisë, pa dorëheqjen nga postet e tyre ekzekutive.

Për shkak të mospajtueshmërive mes subjekteve politike, konstituimi i Kuvendit dështoi edhe në përpjekjen e dytë me radhë. Dy taborët politikë e fajësuan njëri-tjetrin për bllokadën. “Këta jo që s’kanë shumicë, por nuk janë as afër shumicës dhe unë i ftoj që të mos e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi më 17 prill. 

Zgjedhjet u përmendën si mundësi nga Vetëvendosje, qysh në dështimin e dytë.  “Nëse opozita nuk dëshiron që të diskutojë fare as se çfarë të diskutojë me atë raport, dokument, po mbesim kështu ose po drejtohemi, siç e përmenda ma herët, në zgjedhje të reja”, ishte qëndrimi i përfaqësueseve të kësaj partie.

Pengesa për verifikimin e mandateve u kalua në tentimin e tretë. Por në seancën e 19 prillit, për dy herë radhazi dështoi të zgjidhet kryetare e Kuvendit e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Asaj i munguan votat e nevojshme, së paku 61 sosh, për t’u zgjedhur në krye të legjislativit edhe në katër tentimet e radhës. 

Nga dështimi për t’i siguruar 61 vota pro Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje tentoi ta ndërrojë mënyrën e votimit. Nga i hapur, VV-ja qysh nga fillimi i muajit maj, provoi që ta mbyllë procesin e votimit. Votimin e fshehtë e kundërshtuan partitë deri tash në opozitë PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja. Kërkuan që VV-ja ta ndërrojë kandidaten e propozuar e jo mënyrën e votimit. 

Por me pretendimin se i takon e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit, partia e dalë e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, insistoi në themelimin e komisionit për votim të fshehtë plot 46 herë.

Kur u futën në muajin e tretë të dështimit të konstituimit, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese i obligoi deputetët që ta përmbyllin seancën e nisur më 15 prill brenda 30 dite, vendim ky i nxjerrë pas kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me zhvillimin e seancave. 

Por as vendimi i Kushtetueses nuk kreu punë. Kësisoj, rrugëtimi për formimin e institucioneve ka hyrë në një fazë tjetër, atë të vendosjes se me çfarë pasoja juridike do të përballet përbërja e legjislativit për dështimin e konstituimit.

E telashet me konstitumin e Kuvendit e kanë përcjellë Kosovën ndër vite.

Katër vjet më parë, funksionalizimi i legjislativit qe i shpejtë. Nga zgjedhjet e 14 shkurtit u deshën pak më shumë se një muaj (22 mars) për zgjedhjen e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit.

Më shumë kohë për t`u zgjedhur kryetar, Konjufcës i mori më 2019. Derisa zgjedhjet u mbajtën më 6 tetor, në mungesë të një marrëveshjeje politike, Kuvendi arriti të konstituohet tek në fund të dhjetorit.
Tre muaj nga dita e zgjedhjeve zgjati konstituimi i legjislaturës së gjashtë. E dyfish më shumë se kaq mori kohë konstituimi i Kuvendit më 2014. Ndonëse fillimisht kryetar Kuvendi u zgjodh Isa Mustafa, një vendim i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi ushtrimin e detyrës nga ai. Kësisoj, pesë muaj nga zgjedhja e Mustafës në krye të Kuvendit, e 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve më 2014, legjislatura e pestë u konstituua në fillim të dhjetorit, me Kadri Veselin kryeparlamentar.