Shtërpcë, 22 shkurt – Prej më shumë se dy vjet vazhdon të degradohet rruga rajonale 15-kilometërshe Kaçanik- Shtërpcë- Brezovicë.
Në gjendje më të rëndë vazhdon të mbetet aksi i kësaj rruge prej 7-kilometrave që fillon prej fshatit Bajnicë deri në Drekoc.
Për realizimin e këtij projekti Ministria e Infrastrukturës kishte ndarë rreth një milion e 300 mijë euro, mirëpo punimet kanë ngecur deri më tash.
Banorët përveç kërkesave zyrtare, ata disa herë kanë organizuar edhe protesta duke e bllokuar rrugën rajonale që çon në qendrën turistike të skijimit.
Ndërkohë shkaku i zvarritjes së këtij projekti, reagime të vazhdueshme ka pasur edhe nga vetë komuna e Shtërpcës, derisa ekzekutivi disa herë i është adresuar Ministrisë së Infrastrukturës me shkresa zyrtare për realizimin e projektit, mirëpo deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kjo çështje është bërë temë e debateve edhe në Kuvendin Komunal të Shtërpcës, derisa kuvendarët vazhdimisht po e akuzojnë Ministrinë e Infrastrukturës për neglizhencë.
Rifat Rustemi, këshilltar në KK të Shtërpcës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, ka thënë se për çdo ditë rruga regjionale po degradohet, kështu që edhe qendra turistike e skijimit po i humb vizitorët e vet.
“Në tre seancat e fundit të Kuvendit kemi kërkuar edhe një herë t’i drejtohemi zyrtarisht ministrisë së Infrastrukturës për rregullimin e këtij aksi rrugor i cili është degraduar mjaftë shumë dhe po e vështirëson qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve. Pra, shkaku i kësaj gjendje po dëmtohen automjetet në komunikacion dhe si pasojë e kësaj po largohen edhe vizitorët nga qendra e skijimit në Brezovicë sepse është një rrugë që ka qarkullim të jashtëzakonshëm nga turistët”, ka kritikuar Rrustemi.
Sipas tij, edhe komuna duhet të angazhohej më shumë për finalizimin e këtyre projekteve rrugore derisa janë në interes të përgjithshëm. “Punimet në këto rrugë po zvarriten prej vitit 2018 pa ndonjë arsyeje konkrete, në anën tjetër vizitorët në qendrën e skijimit po ankohen se rruga është e degraduar. Po ashtu punimet po zvarriten edhe në projektet të tjera të cilat po realizohen nga ministria e Infrastrukturës. Ne kërkojmë edhe një herë nga Ministria e Infrastrukturës që t’i vazhdoi punimet në këtë projekt mjaftë të rëndësishëm për qytetarët e vendit”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër Garip Sahiti, zëvendës kryesuesi i Kuvendit Komunal të Shtërpcës, ka thënë se pas kërkesave të vazhdueshme të Komunës, ministria e Infrastrukturës po arsyetohet se nuk ka mjete buxhetore për vazhdimin e punimeve në këtë rrugë. “Ministria po arsyetohet se nuk ka mjete buxhetore për vazhdimin e projektit pasi që janë ndërruar qeveritë dhe ministrat dhe nuk janë bërë planifikimet e duhura, ndërkaq për neve si komunë kjo është shumë shqetësuese sepse po dëmtohen automjetet e qytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë shkaku i mungesës së infrastrukturës ka rënë numri i vizitorëve në qendrën turistike të skijimit. Rreth kësaj çështje është debatuar disa herë edhe në KK, mirëpo ministria nuk po angazhohet për t’i vazhduar punimet”, ka thënë Sahiti.
Sipas tij, gjendja e rrugës regjionale është degraduar mjaftë shumë, ndërkaq është kompetencë e drejtpërdrejtë e ministrisë së Infrastrukturës për asfaltim dhe mirëmbajtje.
“Ne si komunë i dalim në ndihmë qytetarëve dhe jeni duke bërë përpjekje të vazhdueshme, madje edhe në Kuvendin Komunal e kemi debatuar këtë çështje për t’ia dërguar edhe një shkresë zyrtare MI-së. Prandaj po besoj se do të paraqesim sërish kërkesa në ministri për vazhdimin e projektit sepse edhe qytetarët po ankohen dhe po pranojmë çdo ditë shqetësime prej tyre, madje ka pasur edhe protesta me bllokim të rrugës”, ka shtuar Sahiti.
Ndërkaq, Bektesh Bajrami, banor nga fshati Brod, ka thënë se kanë dorëzuar kërkesa dhe ankesa në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore, mirëpo deri tash askush nuk po angazhohet për ta asfaltuar rrugën regjionale.
“Dëmtimi i rrugës ka filluar para 2 viteve dhe po vazhdon të dëmtohet edhe më shumë gjatë muajve të fundit. Gropat nëpër rrugë po i dëmtojnë automjetet, prandaj është shumë shqetësuese në rrugë regjionale të kemi pengesa e degradime të tilla. Ne si banor kemi mbajtur edhe protesta por prapë se prapë nuk ka pasur reflektim nga ministria, ndërkohë do të vazhdojmë edhe në të ardhmen nëse kërkesat tona nuk reflektojnë”,ka bërë me dije Bajrami.
Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës gjatë së hënës, nuk i është përgjigjur pyetje të Kohës rreth kësaj çështje.
{gallery}