“Caritasi Zviceran”, organizatë joqeveritare që u përmend në aktakuzën ndaj ministrit në detyrë, Fikrim Damka, ka reaguar të premten duke thënë se nuk ka përfituar asnjë “dobi pasurore”.
Më 4 korrik, Prokuroria Speciale pati njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Sipas aktakuzës, Damka dhe, ushtruesi i detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj dyshohen se nga data 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”. Prokuroria i akuzonte zyrtarët se kanë ndarë fonde publike pa shpallje të thirrjes publike dhe jashtë kompetencës së Ministrisë. Dëmi i pretenduar i buxhetit kapte vlerën prej mbi 1 milion euro.
Tani “Caritasi Zviceran” ka thënë se është në dijeni të raportimeve të fundit që përmendin këtë organizatë në njoftimin e Prokurorisë. Në një reagim ka thënë se “nuk ka përfituar asnjë ‘dobi pasurore’” e se “nuk është palë e akuzuar në këtë çështje”.
Kjo organizatë ka thënë se u përmbahet të gjitha proceseve, obligimeve e rregullave ligjore dhe se të gjitha projektet e saj i nënshtrohen auditimeve të jashtme, të pavarura, të rregullta dhe obligative.
“Duke qenë të financuar kryesisht nga donatorë zviceranë dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, programi në Kosovë zbaton projekte të rëndësishme dhe me vlerë, të cilat kanë sjellë rezultate pozitive dhe dobi për popullin e Kosovës për më shumë se 25 vjet. Të gjitha këto projekte, në fushat e zhvillimit ekonomik rural, edukimit të hershëm të fëmijëve, fuqizimit të grave dhe të rinjve, veprimit klimatik, migrimit dhe angazhimit të diasporës, zbatohen me profesionalizmin më të lartë dhe me efikasitet”, thuhet në reagim.
Kjo organizatë ka thënë se punon në uljen e varfërisë dhe u përmbahet parimeve humanitare ndërkombëtare.
LEXO LAJMET LIDHUR ME KËTË AKTAKUZË: