Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se pas përmbylljes së procedurave ankimore dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, java e tretë e korrikut është afati optimal për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, Cakolli ka vlerësuar se sfida më e madhe nuk pritet të jetë formimi i Qeverisë, por zgjedhja e Presidentit të ri të vendit. Sipas tij, fundi i shtatorit mund të jetë afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në rast se Kuvendi do të konstituohet në pjesën e dytë të muajit korrik, atëherë i bie që mesi apo fundi i muajit shtator do të jetë afati i fundit kushtetues brenda të cilit duhet të zgjidhet Presidenti apo Presidentja e re e vendit. Në këtë drejtim, ky është afati më kategorik, derisa në rastin e zgjedhjes së Qeverisë ekzistojnë dy afate paralele. Pra, në njërën anë është afati 60-ditor nga dita e mandatimit, dhe në anën tjetër është afati i tërësishëm prej 40 ditësh, që përfshin 15 ditë për kandidatin e parë (i cili nominohet nga ana e Presidentit ushtrues të detyrës, apo në varësi se cila procedurë do të ndiqet e para), dhe në rast të dështimit eventual, është afati 10-ditor për zgjedhjen e kandidatit të dytë. Dhe sërish 15 ditë për kandidatin tjetër, që në tërësi bëjnë 40 ditë. Që i bie se, për çështjen e Qeverisë, vendimmarrja mund të jetë më së voni diku nga fillimi i muajit shtator, nëse jo edhe më herët se aq. Por, duke qenë se çështja e Qeverisë nuk pres të jetë problem për shkak të konfiguracionit të numrave, besoj se çështja më e ndjeshme dhe potencialisht më problematike do të jetë ajo për zgjedhjen e Presidentit, me afatin që besoj do të përfundojë nga mesi apo eventualisht fundi i muajit shtator, në varësi të procedurave që do të ndiqen për konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar Cakolli.
Sipas tij, procesi i numërimit të votave ka qenë i rregullt dhe nuk janë evidentuar parregullsi që do të cenonin integritetin e rezultatit zgjedhor, andaj ka vlerësuar se mesi i muajit korrik apo java e tretë mund të jetë afati optimal gjatë të cilit mund të kemi thirrje të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Meqenëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është afat definitiv dhe absolut, në kuptim të obligimit që kanë deputetët për ta përmbyllur atë si procedurë, me afatet që zakonisht marrin një deri në dy javë për përgatitjen e seancës e elemente të tjera, besoj që java e tretë e muajit korrik, ose mesi i muajit korrik, mund të jetë një afat optimal gjatë të cilit mund të kemi thirrjen e seancës konstituive. Dhe që tashmë numrat, si të tillë, diktojnë një tempo relativisht të qetë sa i përket konstituimit të Kuvendit. Sepse Lëvizja Vetëvendosje si parti e dalë e para nga zgjedhjet dhe partnerët e saj nga radhët e komuniteteve, nuk besoj që do të kenë ndonjë problem sa i përket konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Cakolli për Ekonomia Online.
Duke folur për ankesat zgjedhore, Cakolli tha se kandidatët kanë të drejtë ligjore t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike, por theksoi se praktika e deritanishme e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe e Gjykatës Supreme ka vendosur standarde të qarta për mënyrën e trajtimit të tyre.
“Normalisht, kandidatët që kanë qenë pjesë e garës kanë pasur të drejtë dhe kanë të drejtën ligjore për të parashtruar ankesë, qoftë kjo edhe për një numër të kufizuar të votave. Por, ajo çfarë ka rëndësi është që tashmë është krijuar një lloj precedenti nga ana e PZAP-së, edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore, sa i përket nivelit të provimit që duhet bërë lidhur me parregullsitë eventuale. Dhe në këtë drejtim, besoj që vendimet e PZAP-së dhe të Gjykatës Supreme për ankesat paraprake (pra jo këto që i patëm tashmë së fundi) do të shërbejnë si bazë për vendimmarrje edhe në rastet që potencialisht mund të parashtrohen pranë Gjykatës Supreme”, u shpreh Cakolli.
Sipas Cakollit, vendimmarrja përfundimtare e institucioneve përgjegjëse mund të merret shumë shpejt, duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve.
Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë se Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave dhe kuorumin prej dy të tretave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë.
Afati prej 35 ditësh i dhënë nga Gjykata Kushtetuese skadoi në mesnatën e 28 prillit, dhe në këtë mënyrë, automatikisht sipas atij vendimi, shpërbëhet Kuvendi, pa nevojën e një dekreti presidencial.