Strategjia për energjinë e viteve 2022-2031 parasheh shpërbërjen e dy njësive të Korporatës Energjetike e Kosovës dhe që një tjetër të shërbejë vetëm si rezervë, duke nisur nga viti 2028. Në këtë dokument, megjithatë, nuk janë përfshirë edhe punëtorët e ndërmarrjes që janë të angazhuar në këto njësi. E për këtë arsye janë adresuar kritika nga shoqëria civile dhe nga sindikatat.
Dy njësi të termocentralit “Kosova A” parashihet që të shpërbëhen brenda 10 vjetësh, bazuar në Strategjinë për Energji të viteve 2022-2031.
Dokumenti parasheh njashtu që, duke nisur nga viti 2028, një njësi tjetër e këtij termocentrali të funksionojë si rezervë strategjike vetëm gjatë sezonit të ngrohjes.
Ani se këto njësi do të jenë jashtë funksionit brenda një dekade, në Strategjinë e përpiluar nga Qeveria nuk është përfshirë fare çështja e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, që punojnë në to.
“Përveç faktit që është cekur se është një strategji sektoriale, që nuk e përfshinë industrinë dhe transportin, që është dy prej komponenteve kryesore, nuk e ka përfshirë as punëtorët e KEK-ut aktual dhe qasjen e tyre, apo bartjen e tyre në fusha të gjelbra ose mbi cilat kritere do të zhvendosen nëse mundemi ta quajmë punëtorët e KEK-ut nga fushëveprimtaria e tyre, e që në të gjitha shtetet që kanë kaluar në këtë periudhë të tranzicionit ka pasur ankesa, padi dhe procedura të tjera të ndryshme mbi këtë shkas”, ka thënë drejtoresha në Organizatën “ECOZ”, Egzona Shala-Kadiu.
Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të KEK-ut, e ka kualifikuar shqetësues mospërfshirjen e punëtorëve në Strategjinë për energji. Krahas kësaj, ai ka vlerësuar si vështirë të realizueshëm edhe planin për kalim në energji të gjelbër.
“Edhe pse ne kemi një numër të madh të punëtorëve që është kompania më e madhe në Kosovë dhe më e fuqishme i ka 3600 punëtorë, fati i tyre nuk dihet se ku do të jetë edhe pse ne nuk do të rrim duarë kryq. Ne nuk besojmë shumë në këtë strategji për energji të gjelbër, sepse kjo do një investim i madh dhe shteti ynë nuk ka mundësi që të bëjë gjithë këtë investim për të mbuluar të gjithë vendin me prodhim të energjisë elektrike, duke u bazuar në energji të gjelbër, por që patjetër duhet të vazhdojë me prodhim me thëngjill”, ka thënë Llumnica.
Strategjia për energji lë jashtë edhe sektorët e transportit dhe të industrisë. Kjo qasje sektoriale është kritikuar se nuk e mundëson një tranzicion të drejtë dhe efikas të energjisë.
Në shoqërinë civile kanë vlerësuar se lënia anash e këtyre komponentëve mund ta minojë procesin e përgjithshëm të dekarbonizimit. E në Ministrinë e Ekonomisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS mbi shkaqet e mospërfshirjes së punëtorëve të KEK-ut në dokument.
Në KEK, ndërkaq, kanë treguar se një përfaqësues i ndërmarrjes ka qenë pjesë e hartimit të strategjisë dhe se i ka paraqitur qëndrimet e Korporatës.
“Gjatë hartimit të dokumentit, KEK-u ka paraqitur qëndrimet që ndërlidhen me çështje të caktuara për të ardhmen e KEK-ut. Megjithatë, për të komentuar rreth kësaj teme konsiderojmë se duhet të pritet që dokumenti të finalizohet dhe të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.
Në KEK nuk kanë treguar nëse ekziston ndonjë planifikim lidhur me punëtorët, pas shpërbërjes së dy njësive të Termocentralit “Kosova A”.
Konsultimet publike mbi Strategjinë për energji tanimë janë përmbyllur, porse dokumenti nuk është dërguar ende në Qeveri për miratim. Vonesat në miratimin e tij nuk janë sqaruar nga ekzekutivi, por janë kritikuar nga shoqëria civile.