Banorët e Arbërisë po ankohen për reduktime uji, pavarësisht që uji nga ky liqen është i pijshëm sipas të dhënave të IKSHP-së.
“Dy javë pa ujë në Arbëri dhe asnjë autobot me ujë”, ka shkruar një qytetare.
E, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina" kanë konfirmuar se në këtë pjesë të kryeqytetit nuk po arrijnë të realizojnë furnizim të rregullt, për shkak të turbullirave të shtuara në burimin e ujit.
"Aktualisht po përballemi me mungesë në furnizimin me ujë të pijshëm aty, pasi nuk po arrijmë të realizojmë furnizim të rregullt dhe të vazhdueshëm. Kjo situatë është krijuar si pasojë e turbullirave të shtuara në burimin e ujit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e trajtimit, si dhe për shkak të kapacitetit të zvogëluar të impiantit të trajtimit. Për rrjedhojë, sasia e ujit të trajtuar dhe e shpërndarë është më e ulët se nevojat reale të konsumatorëve", ka thënë zëdhënësja e K.R.U. “Prishtina”, Arjeta Mjeku, për KOHËN.
Mjeku ka shtuar se ekipet janë duke punuar për stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit normal sa më shpejt të jetë e mundur.
"Situata pritet të stabilizohet shpejt", ka thënë ajo.
Për shkak të vërshimeve të fundit në disa komuna qe shfaqur problemi me ujin. Reduktimet patën nisur edhe në kryeqytet me disa orë, megjithëse në shumicën prej lagjeve gjendja qe rregulluar me përmirësimin e kushteve atmosferike.