Arbëri

Aliu: Në Kosovë është instaluar mentaliteti "duhesh me qenë i gjindshëm, pak edhe hajdut"

Florin Aliu

Profesori universitar në Çeki, Florin Aliu, ka thënë se në Kosovë është instaluar mentaliteti “duhet me qenë i gjindshëm, pak edhe hajdut” për me “qenë i zoti”. 

Aliu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se ky është mentaliteti i punës që është instaluar në Kosovë. 

“Ne prej vitit 2000, aplikojmë këtu politika që thirret fundamentalizmi i tregut, pra privatizim, ulje taksash, liberalizim të tregut drejt anarkisë, pa rregulla. Ti edhe sot i dëgjon njerëzit duke thënë se për “me qenë i zoti, duhet me qenë i gjindshëm, duhet me qenë edhe pak hajdut’. Ky është mentaliteti i punës që është instaluar”, ka thënë Aliu. “Ne duhet të mendojmë për gjithë njerëzit. Sepse në studiot televizive zhvillimi matet me 10 për qind të njerëzve nëse bëjnë progres. Këtu ke ende varfëri në Kosovë....Këtu varfëria është 8-10 për qind. Jetojnë njerëzit me më pak se 2 dollarë në ditë". 

Aliu ka thënë se paga minimale e diskutuar prej 500 eurove duhet votuar nga të gjitha partitë. Po ashtu ka thënë edhe skemat e subvencioneve për fëmijët janë të mirëseardhura dhe duhet të rriten. 

“Nuk kemi skema sociale në rast se njerëzit nuk lypin punë dhe rrinë në shtëpi, pasi me ato i bën dembel njerëzit. Por kur njerëzit duan të punojnë e nuk ka punë, atëherë dy mënyra janë: me ik prej këtu, që po ndodh, ja duhet bërë zgjidhje. Edhe diskutimi se kur rritet paga minimale 500 euro shkatërron bizneset prodhuese. Një biznes prodhues që paguan njeriun 350 euro nuk është biznes. Edhe kjo puna e bizneseve duhet të diskutohet”, tha Aliu. 

Ai tha se 90 për qind e njerëzve në Kosovë jetojnë keq. 

“Veç një pjesë e vogël jetojnë mirë ndoshta, ata ndoshta janë të pranishëm media e bëjnë politikën. Por nuk jetohet mirë këtu”, tha Aliu.

 


Emanuel Bajra: Amerika e sheh Evropën problem më të madh sesa Kinën

Emanuel Bajra, profesor i ekonomisë, ka thënë se Amerikan e sheh Evropën problem më të madh sesa Kinën nga aspekti ekonomik.

Ai ka thënë se doktrina e presidentit Donald Trump është “si të fragmentarizohet Evropa”.

“Është Evropa problem, ose po shihet Evropa si kërcënim më i madh për Amerikën nga aspekti ekonomik sepse nuk i intereson SHBA-së... shihet Evropa si një njësi tejet e fuqishme tregtare për Amerikën që t’i përbashkohet. Vetëm nga aspekti i kualitetit dhe standardit të ushqimit Evropa është numër 1 në botë, rregullimi i platformave teknologjike. Vance dhe prononcimet e fundit e kanë bërë me dije se një Amerikë e sotme e doktrinës ‘donroe’ nuk do tolerojë një Evropë që është tejet e lirë por që prosperitetin e saj e ka derivat nga dollari. Kina më tepër është aspekt transaksional për Amerikën”, ka thënë Bajra në Konfront.


Palokaj: Reagimet e BE-së për Venezuelën, tipike për bllokun - të paqarta

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka vlerësuar se reagimet e Bashkimit Evropian lidhur me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë tipike për BE-në – të paqarta dhe që reflektojnë pavendosmëri politike.

Sipas Palokajt, BE-ja ka reaguar formalisht, por pa një qëndrim të qartë dhe të unifikuar, për shkak të nevojës që deklaratat e përfaqësueses së Lartë të mbështeten nga të gjitha shtetet anëtare. Ai theksoi se deklarata është lëshuar në emër të 26 vendeve anëtare, pasi Hungaria nuk ka dhënë pëlqimin.

“Deklarata u kufizua në thirrje për përmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare. BE-ja nuk e njeh Maduron si president të Venezuelës, por gjithsesi reagimet kanë qenë më shumë sa për të thënë se po reagojmë, pa ndonjë ndikim real në terren”, ka deklaruar Palokaj në “Konfront” të KTV-së.

Ai shtoi se qëndrimet e BE-së nuk kanë fuqinë për të ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimet në Venezuelë, por ngjarjet atje do të kenë pasoja edhe për vetë Bashkimin Evropian.

Sipas Palokajt, shqetësimi kryesor i zyrtarëve dhe diplomatëve evropianë, të paktën privatisht, lidhet me sjelljen gjithnjë e më agresive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin që kjo mund të ketë në çështje të tjera globale.

“Pyetja kryesore është se sa do të reflektohet kjo qasje e SHBA-së në zhvillimet dhe krizat e tjera në botë”, ka përfunduar ai.


Bajra: Rasti i Venezuelës s'mund të ndikojë në çmimin e naftës

Ujkan Bajra, profesor i ekonomisë, ka thënë se rasti i Venezuelës nuk mund të ndikojë në luhatjen e çmimit të naftës.

Ai ka shpjeguar se ndryshimi në çmimin e naftës varet nga qendrat kryesore prodhuese, ku dominon SHBA-ja. Ndërsa Venezuela, siç ka thënë tutje ai, përbën më pak se 1 për qind të prodhimit të naftës në botë.

“Shohim që ka kriza në Lindjen e Mesme, është krizë politike, luftë, por nuk ka kurrfarë ndikimi në tregjet globale. Por nëse është folur se po mbyllet kanali i Hormuzit përmes të cilit kalon një sasi e madhe e naftës, ai pa dyshim që ndikon në tregjet globale. Por, rasti i Venezuelës nuk e shoh si konflikt që mund të ndikojë në çmimet e naftës sepse pjesëmarrja e Venezuelës në krejt prodhimin botëror të naftës nuk është as 1%.  SHBA janë prodhues numër 1 në botë. Pritjet nuk janë të mëdha që mund të ndikojë në çmimet e naftës. Krejt kjo varet prej qendrave kryesore botërore, SHBA dominon”, ka thënë Bajra në Konfront.

Çmimet e naftës ranë të hënën pas operacionit të SHBA-së në arrestimin e presidentit venezuelas Nicolas Maduro. Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka vënë rezervat e naftës në Venezuelë në qendër të planit të tij për ndryshimin e regjimit në vend, duke sugjeruar se kompanitë amerikanë do të shpenzojnë miliarda për infrastrukturën e saj.