Arbëri

AUV-i tërheq nga tregu disa formula për foshnja APTAMIL

AUV

Foto-Ilustrim: KOHA

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu disa seri të qumështit për foshnja APTAMIL, pasi ka marrë informacione lidhur me praninë e toksinës Cereulide. 
Bëhet fjalë për produktet APTAMIL 3 6x800G CR/SL të prodhimit në Irlandë, APTAMIL 2 6x800G CR/SL të prodhimit në Irlandë, APTAMIL 1 6x800G CR/SL të prodhimit në Irlandë. Po ashtu produkte APTAMIL AR2, ENG 24x400G prodhim në Holandë, dhe APTAMIL Pronutra Pre 800 g, dhe Pre 1.2 kg prodhime të Gjermanisë. AUV ka publikuar listën e produkteve dhe me datat e skadimit të tyre.

“Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimin me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimin nr. 2026.1018, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në produktet e prodhuara në Holandë si dhe njoftimi nr 2026.1017, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulat për foshnje dhe në formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë. Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., Vushtrri, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu”, ka njoftuar AUV. 

AUV u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar AUV.