Dobësi të shumta në menaxhimin e parasë publike dhe me resurse brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit.
Kontrata pa procedura prokurimi, tejkalim të shpenzimeve në qira, dëmtim i buxhetit në procedura përmbarimore, ndërrim i shpeshtë i pozitave brenda MPJD-së, janë disa prej parregullsive të evidentuara në raportin e publikuar këtë muaj.
“Misioni Diplomatik në Berlin kishte raportuar shpenzimet për periudhën qershor deri në gusht 2021 në vlerë 141,932€. Pas analizimit të tyre nga zyrtarët shpenzues në MPJD ishte identifikuar dhe raportuar në nivelet menaxheriale se shpenzimet prej 37,866€ nuk ishin në përputhje me Urdhëresën e lartcekur. Tejkalimet kishin të bënin me shpenzimet e drekave[1], përderisa blerja e mobilieve dhe blerjet e tjera që kërkonin aprovim ishin bërë pa aprovim nga sekretari i Përgjithshëm. Po ashtu, MDK-ja në Berlin në muajin gusht kishte bërë pagesë për biletë të udhëtimit në vlerë prej 285€ për një person nga shoqata ekonomike gjermano-kosovare. Për këtë shpenzim nuk kishte aprovim nga sekretari”, thuhet në raport.
Edhe në vitin 2021 gjatë procesit të auditimit është identifikuar se bilanci bankar lidhur me mbajtjen e mjeteve nëpër llogari të misioneve diplomatike ishte tejkaluar mbi limitin e përcaktuar. Tejkalimet ishin bërë nga katër konsullata.
ZKA-ja ka konfirmuar edhe raportimet e vazhdueshme të “KOHËS” sa u përket pozitave dhe sistemimit të zyrtarëve brenda MPJD-së.
“Më datë 07.04.2021 menaxhmenti kishte nxjerrë vendim që zyrtari i prokurimit të transferohet në pozitën: zyrtar i auditimit të brendshëm në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh me pagesë dhe kompetenca të plota edhe pse nuk ishte i certifikuar; dhe Plani vjetor i auditimit për vitin 2021 ishte përgatitur dhe dorëzuar, mirëpo nuk ishte aprovuar e as refuzuar nga ish-udhëheqësi i subjektit të sektorit publik. Po ashtu, NjAB me datë 27.04.2021, i ishte drejtuar me shkresë ministres aktuale për të njoftuar për planin e punës, mirëpo nuk kishte marrë ndonjë përgjigje. Plani ishte aprovuar vetëm nga Komiteti i Auditimit. Ndërrimet e shpeshta të menaxhmentit ishin shkaktarët e mangësive të lartcekura”, thuhet tutje në raport.
Nga ministrja është kërkuar që lëvizjet e personelit t’i bëjë në harmoni me kriteret profesionale që kërkohen për përmbushjen e detyrave të caktuara.
Me gjetjet e auditorit, është pajtuar edhe MPJD-ja
Lidhur me shkeljen e këtyre kritereve, ministrja është denoncuar nga Shoqata Sindikale brenda MPJD-së, teksa ka kërkuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit dhe instancave të tjera për kthimin e ligjshmërisë.