Asnjë njohje e re e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk ka siguruar Kosova gjatë një viti e gjysmë qeverisjeje të Qeverisë Kurti. Njohësit e politikave të jashtme konsiderojnë se në aspektin e politikës së jashtme Qeveria ka qenë pasive. E një situatë e tillë, thonë se i shkon për shtat më së shumti Serbisë
Pasiviteti vlerësohet se e ka karakterizuar qeverisjen prej një viti e gjysmë të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, kur është fjala për politikën e jashtme. Njohës të diplomacisë konsiderojnë se me gjithë deklarimet nga Ministria e Punëve të Jashtme, veprimet konkrete kanë munguar.
Sipas Emir Abrashit, njohës i politikave të jashtme, Ministrisë së Punëve të Jashtme i kanë munguar vizioni dhe qasja serioze.
“Kjo pa dyshim e dëmton imazhin e vendit jashtë, por edhe vetë pozicionin e Kosovës jashtë. Ne deri më tani nuk kemi asnjë njohje të re, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Edhe ato pak tentativa të cilat janë bërë, janë bërë në mënyrë të pasuksesshme për shkak se, janë bërë në mënyrë ad hoc, pa konsultim me aleatët brenda dhe jashtë vendit, dhe në këtë formë Ministria e Punëve të Jashtme lë shumë për të dëshiruar si institucion”, ka thënë Abrashi.
Në mesin e çështjeve për të cilat ai ka vlerësuar se kanë qenë problematike gjatë qeverisjes së ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Abrashi ka përmendur mosemërimin e krerëve të misioneve diplomatike, gabimet e bëra në rrjetet sociale, shkarkimet e emërimet në Ministri e të tjera.
Në Grupin për Studime Politike e Juridike kanë thënë se qasja e tillë e ekzekutivit karshi politikës së jashtme lë pasoja.
Hulumtuesi Naser Shamolli ka thënë se në fillim të mandatit pritjet nga udhëheqja e Ministrisë kanë qenë të mëdha.
“Kanë qenë që fillimisht do të vendoset ligjshmëria brenda vetë Ministrisë, të ndryshohet korniza ligjore e cila është goxha e vjetër dhe të harmonizohet për Ligjin me zyrtarët publikë, të përcaktohen ato rregullime që vetë Ligji për zyrtarët publikë i jep në diskrecion kësaj ministrie, që t’i rregullojë me ligje të veçanta e pastaj të kalohet në aspekte të tjera, siç është ristrukturimi i brendshëm dhe organizimi sipas kësaj kornize”, ka thënë ai.
Që të dy bashkëbiseduesit e KOHËS janë të mendimit se qasja e Kosovës në politikën e jashtme i përshtatet vetëm Serbisë.
Njohësi i kësaj fushe, Emir Abrashi, ka thënë se duke pasur parasysh edhe kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq – se është i njoftuar për gatishmërinë që disa shtete të tërheqin njohjen e Kosovës – të gjitha zhvillimet janë në dëm të Kosovës.
“Një pasivitet i tillë i Ministrisë së Punëve të Jashtme do të thotë i dërgon ujë në mulli vetëm diplomacisë serbe”, ka thënë ai.
E Naser Shamolli nga GSPJ-ja ka thënë se “Kosova duhet të jetë një hap më përpara se vetë ajo”.
“Pra, jo që të mbrojmë këtë gjendje që e kemi, por të ecim më tutje për shkak se është shumë e nevojshme që të bëhemi pjesë e proceseve dhe e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Gjatë javës që lamë pas, para Ministrisë së Punëve të Jashtme protestuan disa zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm. Ata shprehën pakënaqësitë e tyre për ndryshimet e bëra në organizimin e brendshëm të Ministrisë.
Sipas Abrashit e Shamollit, problemet e brendshme kanë ndikim në punën që bëhet nga Ministria.
“Kjo është problematike me faktin se ne nuk jemi në pozicion të mirë në politikë të jashtme. Ndoshta procesi është dashur të shkojë në të dyja drejtimet, të mos ndalet politika në aspektin e jashtëm, por që në të njëjtën kohë të vendosen kriteret dhe ligjshmëria brenda vetë Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë Shamolli.
Emir Abrashit, thotë se “lufta” e nisur brenda MPJD-së nuk ka fitues.
“Stafi civil do të jetë aty edhe kur këta të largohen, dhe nuk është e udhës që të ketë këso betejash e që në fund të fundit humbësi më i madh do të jetë vetëm Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë ai.
Lidhur me njohjet, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe punën e Ministrisë në këtë drejtim, KOHA ka dy ditë që nuk ka marrë përgjigje.
Kosova më 12 maj të këtij viti ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa krerë të institucioneve kanë bërë të ditur se synojnë që deri në fund të këtij viti të aplikojnë edhe për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Për një vit, qeverisja e kaluar e drejtuar nga Avdullah Hoti është pajtuar që të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo ujdi ishte në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit, të nënshkruar në shtator të 2020-ës, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në ndërmjetësimin e tash ish-presidentin Donald Trump. Sipas kësaj marrëveshjeje, derisa Kosova për një vit nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Serbia do ta pushonte fushatën e saj për çnjohje dhe mosnjohje të Kosovës. Moratoriumi njëvjeçar ka skaduar në shtator 2021. Ai u konsiderua i papranueshëm nga Vetëvendosje, opozitë në atë kohë, e aktualisht në pushtet.
Njohja e fundit e Kosovës qe ajo më 1 shkurt të vitit të kaluar, nga Izraeli.