Arbëri

Sallahu kërkon masa ligjore ndaj kryeprokurorit të Themelores në Mitrovicë, Njazi Rexha

Mitrovicë

Blerim Sallahu nga Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga u.d i kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi të ndërmerren disa veprime ligjore ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Njazi Rexha.

Sipas Sallahut për ndërprerjen e numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut të hënën mbrëma, fillimisht ishte caktuar prokurori Shpëtim Peci, por më pas kryeprokurori Njazi Rexha pa ofruar ndonjë arsyetim kishte vendosur të ndërprehet procesi i numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut.

Në kërkesat e Sallahut, theksohet se ekziston rasti "konflikt interesi" nga ana e Kryeprokurorit Rexha.

Kërkesat e Sallahut:

1. Të përjashtoni zyrtarin në fjalë, Kryeprokurorin Rexha, nga trajtimi i mëtutjeshëm i rastit, për shkak të ekzistimit të konfliktit të interesit, në përputhje me Nenin 19 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/l -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjithashtu, vlerësoj që përjashtimi i Prokurorit të rastit, ka bazë edhe në Nenin 43 të Kodit të Procedurës Penale NR. 08/L-032, meqë ekzistimi i konfliktit të interesit është një nga bazat e cekura në Kod për këtë përjashtim;

2. Të nxjerrni vendim me shkrim për të marrë nën juridiksionin tuaj këtë rast, me qellim të zhvillimit efikas të procedurës si dhe për arsye të shmangies së konfliktit të interesit nga Zyrtari i lartpërmendur. (në përputhje me Nenin 20, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit); dhe,

3. Të shqyrtoni ankesën për shkeljen disiplinore të përmendur në këtë shkresë nga Kryeprokurori Rexha dhe të kërkoni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës fillimin e hetimeve disiplinore në përputhje me Nenin 12 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/L–057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe të ndërmerren hetimet e nevojshme për konstatimin lidhur me përgjegjësinë penale të zyrtarit në fjalë nga Neni 417 i Kodit Penal të Kosovës nr. 06/L-074.

Sipas Sallahut, Prokuroria mund të ndërhyjë vetëm kur ka dyshime për vepra penale si falsifikim votash, manipulim të rezultateve ose dëmtim të materialit zgjedhor dhe edhe në këto raste mund të kërkojë nga KQZ ose Policia ta pezullojnë përkohësisht pjesën e materialit që është objekt hetimi por nuk e ndalon procesin e numërimit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi që të ndërpritet numërimi i votave deri në një sqarim të plotë të rastit pas dyshimit për manipulim. Të martën u urdhërua nga kjo prokurori që të rifillojë numërimi i votave për procesin e balotazhit në Mitrovicën e Jugut.