Një prokuror turk ka kërkuar dënim me burgim prej më shumë se 2,000 vjetësh për kryetarin e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, për dyshimin se ka drejtuar një rrjet të gjerë korrupsioni që i ka kushtuar shtetit miliarda lira, sipas një aktakuze të parë nga Reuters.
Imamoglu, i cili është rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij dhe ka thënë se ato janë të motivuara politikisht.
Kryeprokurori i Stambollit, Akin Gurlek, ka bërë të ditur aktakuzën në një konferencë për shtyp të martën, duke thënë se ajo përmban 402 të dyshuar, përfshirë Imamoglun, dhe i akuzon ata për formimin e një organizate kriminale, ryshfet, mashtrim dhe manipulim ofertash.
Gurlek ka thënë se rrjeti i shkaktoi shtetit turk humbje prej 160 miliardë lirash apo 3.8 miliardë dollarë, gjatë një periudhe 10-vjeçare.
Aktakuza prej më shumë se 4,000 faqesh përfshin një tabelë organizative që e portretizon Imamoglun si themeluesin dhe kreun e grupit kriminal.
Raporti citon gjetjet e Bordit të Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK), analizat e ekspertëve dhe provat dixhitale dhe video, dhe pretendon se disa biznesmenë u detyruan të paguanin ryshfete përmes një fondi sekret që vepronte brenda bashkisë.
Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur akuzat përtej përmbajtjes së aktakuzës. Bashkia e Stambollit dhe avokatët e Imamoglut nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment.
Kryebashkiaku ka qenë në burg që nga marsi ,në pritje të gjyqit për akuza për korrupsion dhe mori një dënim të veçantë me burgim në korrik për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit të qytetit, një vendim që ai po e apelon.
Qeveria mohon pohimin e Imamoglut dhe Partisë së tij Republikane Popullore (CHP) se çështja kundër tij është e motivuar politikisht, dhe thotë se gjykatat e Turqisë janë të pavarura.