Arbëri

Arifi për Vetëvendosjen: Parti jokonsistente – sot të dashuron, nesër të pushkaton

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje është “parti jokonsistente” që, siç tha, “sot të dashuron, nesër të pushkaton”. Prandaj, sipas tij, partitë e tjera po ngurrojnë të bashkëpunojnë me ta.

Arifi ka deklaruar se LDK-ja nuk do të pranonte një marrëveshje me Vetëvendosjen që vetëm ta marrë presidentin, për shkak të përvojave të kaluara.

“Vetëvendosje nuk njihet si parti që ka konsistencë – sot me ty dashurohet, nesër të pushkaton. Këtë e them në mënyrë figurative, por është arsyeja pse asnjë parti e madhe shqiptare nuk po do të bashkëpunojë me ta, për shkak të kësaj jokonsistence”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Profesori u shpreh i çuditur se si LVV-ja po e sheh formimin e qeverisë.

“Sikur po jetojmë në një film ku ndodhin fatkeqësi e aksidente që ripërsëriten. Është pak e çuditshme mënyra se si LVV-ja po e sheh formimin e qeverisë. Po shkohet me të panjohurën, sikur mendojnë që diçka do të ndodhë, kur në fakt do të duhej të ishte e thjeshtë, pasi e kanë shumicën parlamentare”, u shpreh Arifi.

Ai theksoi se Vetëvendosje po e trajton politikën si “pazar të ndytë”, ndërsa mungon diskutimi për çështje thelbësore.

“Nuk bëhet kështu politika. Politika është sport serioz, është nivel intelektual. Askush nuk flet për energjinë, arsimin, shëndetësinë apo dialogun – tema që do ta presin qeverinë e ardhshme. Më duket që Kurti ose po e bën qëllimshëm, ose e ka humbur kuptimin pse qëndron aty. Qe 10 muaj diskutojmë a janë numrat, a s’janë”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, mungesa e dialogut normal në vend është pasojë e qasjes së Vetëvendosjes, që sipas tij, përdor “gjuhë patetike, fyese e urrejtëse”. Ai shtoi se kjo parti nuk ka treguar aftësi në menaxhimin e politikave publike dhe po mundohet t’i fshehë dështimet përmes retorikës politike.

“Kjo situatë mund t’i konvenojë Kurtit personalisht, por jo shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Duke folur për opozitën, Arifi ka thënë se edhe aty vërehet mungesë lidershipi.

“Lidershipi i PDK-së dhe i LDK-së është në një komfort zonë – po presin që këta (VV-ja) të gabojnë. Por qytetarët duan një lider që trajton çështje të rëndësishme me thellësi. Në mënyrën se si opozita po angazhohet, lë shumë për të dëshiruar”, theksoi ai.

Seanca për formimin e qeverisë së re është thirrur për të dielën nga ora 10:00.

Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i kanë mbetur edhe dy ditë kohë ligjore për ta prezantuar kabinetin e ri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ende është e paqartë nëse Kurti i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.

Nëse LVV-ja nuk arrin t’i bëjë 61 vota, presidentja ka detyrën që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.