Arbëri

APK-ja thotë se s’ka prova për konflikt interesi në tenderin 12-milionësh, “D-Plus” e vlerëson shqetësues vendimin e saj

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka gjetur prova për konflikt interesi në tenderin 12 milionë euro për shërbimin e arkitektit. Edhe pse kompania fituese kishte pasur më parë transaksione me një kompani ku ish-anëtari i komisionit vlerësues, Kreshnik Ferizi, është aksionar, APK-ja ka konstatuar se nuk ekziston lidhje direkte. Vendimin e ka vlerësuar si shqetësues organizata “Demokraci Plus”, që kishte ngritur pretendimet për konflikt interesi në këtë tender

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) nuk ka gjetur prova që vërtetojnë ekzistencën e një konflikti interesi të ish-anëtarit të komisionit vlerësues në tenderin 12-milionësh të Komunës së Prishtinës për shërbimin e arkitektit, Kreshnik Ferizi. 

Dyshimet ishin ngritur mbi bazën e një pretendimi se Ferizi kishte bashkëpunuar më parë me kompaninë fituese “Anarch” në një projekt të realizuar për “Albania Post” në Tiranë, që “Anarch” e kishte përdorur si referencë në aplikimin për tender. 

Mirëpo, sipas hetimit të APK-së, bazuar në të dhënat e marra nga Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka pasur transaksione që vërtetojnë ndonjë marrëdhënie profesionale ose financiare midis Ferizit dhe “Anarch”. 

Edhe pse APK ka konstatuar se kompania “Anarch” ka pasur transaksione të deklaruara gjatë viteve 2020–2021 me “Tulla Studio”, në të cilën Kreshnik Ferizi është aksionar me 50%, është përfunduar se nuk ekziston marrëdhënie direkte mes Ferizit dhe kompanisë fituese. 

Sipas ARBK-së, Ferizi figuron si drejtor i kësaj kompanie.

“Sipas përgjigjes së ATK-së, transaksionet e deklaruara mes “Anarch”SH.P.K dhe “Tulla Studio” SH.P.K kanë ndodhur në të kaluarën, përkatësisht në vitin 2020-2021, d.m.th. nuk kanë qenë as aktuale në kohën e dhënies së tenderit e as të ardhshme pas dhënies së tenderit. Rrjedhimisht, transaksionet e tilla, në kuptim të nenit 417, paragrafi 5 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, nuk e bëjnë subjektin “Anarch” SH.P.K. person juridik të afërm me Kreshnik Ferizin”, thuhet në vendimin e APK-së.

KOHA ka kontaktuar me Ferizin, por në momentin që e ka kuptuar se për çfarë është kontaktuar e ka ndërprerë komunikimin. 

Ferizi ka qenë i angazhuar nga Komuna e Prishtinës deri më 31 dhjetor 2022. Raporti i vlerësimit të tenderit, ku ai figuron si anëtar dhe nënshkrues mban datën 29 maj 2023 apo rreth 5 muaj pas përfundimit të angazhimit të tij. 

KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Agjencia nëse kanë kërkuar informatat mbi transaksionet nga autoritetet shqiptare, gjatë hetimit për konflikt interesi, por që nuk ka marrë përgjigje. APK-ja nuk është marrë me ligjshmërinë e procesit të prokurimit, duke konstatuar se mandati i saj kufizohet në konfliktin e interesit. 

Sipas organizatës “Demokraci Plus”, që kishte ngritur pretendimet për konflikt interesi në tenderin 12-milionësh të Komunës së Prishtinës, vendimi i APK-së është shqetësues, pasi krijon një precedent të rrezikshëm për Ligjin e konfliktit të interesit.

“Vendimi për Kreshnik Ferizin nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është shqetësues, pasi krijon një precedent të rrezikshëm për Ligjin e konfliktit të interesit, duke qenë se interpreton një dallim të interesit që ka personi fizik dhe personi juridik (biznesi), ku ai është aksionar, që praktikisht interesat personale dhe interesat e aksionarëve janë të pandashme. Pavarësisht se APK nuk lëshohet në interpretimin e argumentit kryesor që D+ kishte denoncuar, që është fakti se Ferizi nuk ishte në marrëdhënie pune me Komunën e Prishtinës në kohën kur kishte bërë vlerësimin e tenderit 12-milionësh, duke e bërë pjesëmarrjen e tij në këtë komision të paligjshme, ky vendim dhe interpretim përsëri nuk është i bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka thënë Ardit Dragusha, hulumtues në “D-Plus”.  

Për pretendimet e “D-Plus” të publikuara vitin e kaluar kishte reaguar Komuna e Prishtinës, e cila kishte deklaruar se Ferizi nuk figuron në asnjë dokument të dorëzuar nga kompania “Anarch” si pjesë e aplikimit për tender.

Në maj të 2024-s, KOHA ka raportuar se pronar i njërës kompani në konsorcium që ka fituar kontratën 12-milionëshe është Astrit Nixha, i cili në të kaluarën ka pasur raporte pune edhe me një biznes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.