Koha rikthen artikullin e botuar më 10 nëntor të vitit 1998 në KOHA Ditore, për protestën para zyrave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Prishtinë, të familjes së mjekut dhe aktivistit Hafir Shala, të mbajtur shtatë muaj pas rrëmbimit të tij.
PRISHTINË, 9 NËNTOR 1998 - Nga dritaret e dhomës se ngrohtë të shtëpisë së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit te Kuq, në oborrin e shtëpisë shiheshin anëtarët e familjes së Hafir Shalës, duke e pritur dikë që t'u thoshte diçka për fatin e djalit, babait apo bashkëshortit të tyre.
Hafir Shala, mjek dhe aktivist i Shoqatës... "Nënë Tereza" nga Gllogoci, siç ka njoftuar KMLDNJ-ja, është rrëmbyer nga policia me 10 prill të këtij viti në Sllatinë.
"Këtu do të rrimë tërë natën. Nuk do të largohemi pa na treguar se a e kam djalin gjallë apo vdekur", tha Isuf Shala, i ati i Hafir Shalës, derisa mbesat dhe nipi i tij silleshin përreth tij, të gjithë me fytyra të skuqura, duke u shkuar hundët e nganjëherë duke qarë nga të ftohtit.
Gjashtë fëmijët nga mosha 13 vjeç deri 3 muajsh, bashkëshortja dhe i ati i Hafirit, protestonin nëpër oborrin e shtëpisë së bukur të Kryqit të Kuq..., ku nga të gjitha anët frynte një erë e ftohtë dhe ku nganjëherë silleshin 'gardat' e shtëpisë dhe qeni i quajtur 'Shampion'.
"Nesër bëhen shtatë muaj që kur e kanë marrë Hafirin. Sot, kemi ardhur për të protestuar këtu", tha i ati i Hafirit, 64-vjeçar.
Fraqi i mëngjesit edhe atij ia kishte skuqur fytyrën, kurse sytë iu skuqën nga lotët që i rrodhën, derisa po thoshte "unë po ju them, ju lutna kufomën me na kthy".
Zyrtarët e KNKK-së nuk dinin se si ta "hiqnin qafe" familjen e Hafirit. Nga ora dhjetë e mëngjesit kur kishin arritur babai, bashkëshortja dhe gjashtë fëmijët e Hafirit, me ata kishte dalë të fliste një e huaj. 'Bisedat' i kishin përfunduar në oborrin e shtëpisë, ku pastaj familja e Hafirit e vazhdoi 'ndejën' deri në orën 14:45. Brenda në recepcion njerëzit, të cilët punonin, aty ngroheshin me një ngrohëse kuarci, së cilës i punonin vetëm dy grilla, kurse disa drekonin. Nganjëherë, sekretaresha shikonte për dritare dhe vlerësonte se "sa është gjynah për ata njerëz qe po rrinin përjashtë".

Ata që gjendeshin në dhomën e recepcionit nuk mund të jepnin kurrfarë informacionesh, 'shefat' nuk gjendeshin andej pari dhe sekretaresha nuk mund ta gjente 'sheficën' se në cilin restorant kishte shkuar.
"Këtu askush nuk mund të flasë veç ashtu, pa u marrë vesh me shefat", tha sekretaresha dhe propozoi që t'i presim ata derisa të kthehen. "Na thanë: Pritni e këqyrim masanej", tha Shukrie Shala, bashkëshortja e Hafirit, derisa po e mbante në krah dhe nganjëherë e mbështillte me pallton e vet Aurelën, te cilën para 3 muajsh e kishte lindur ne malin e Berishës.
"S'interesohet kërkush. Veç fjalë, fjalë, edhe kurrgja ma shumë", tha ajo dhe shtoi se edhe para një jave kishte qenë në zyrat e KNKK-së së bashku me fëmijët e saj, kurse për ardhjen e sotme i kishte njoftuar që të enjten.
"Mos na pengoni këtu, ne vetë ju informojmë", i kishte pohuar përkthyesi fjalët e një 'anglezeje', siç tha i ati i Hafirit dhe shtoi se bashkëshortja e Hafirit i kishte thënë se ata nuk pengojnë. "A ju ka penguar dikush qe shtatë muaj, qe një jave kur kam qenë herën e fundit".
Gentriti, i vetmi djalë i Hafir Shalës, nganjëherë ua ndërprente fjalët nënës dhe gjyshit të tij, duke kërkuar që të shkonin se po mërdhinte dhe po i hahej diçka "Apet kemi ardhë me lypë babin. Apet na kanë thanë se s'osht kurkund", thoshte Gentriti. "Mua më ka marrë malli, ata po thonë se nuk është kërkund, e ai hala është në burg", thoshte dhe sytë i kishte ngulitur diku...në një pikë...
