Futboll

Sokoli: Malisheva ka ekip të mirë, do të rikthehet në formë

Pasi Malisheva humbi nga Vikinguri me rezultat 8:0 në Islandë, trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, ka thënë se ky ekip është i mirë dhe do të rikthehet shpejt në formë. 

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Sokoli ka thënë se beson se ky ekip do të konsolidohet.

Ai ka shtuar se ekipeve të Kosovës u mungon përvoja.

“Unë besoj se ky ekip do të konsolidohet dhe në kampionat ka një përbërje të fuqishme me pak ndryshime, e rëndësishme është që shihet se u mungon ende përvoja ekipeve tona dhe ekipet kanë edhe orarin më të përshtatshëm sepse kundërshtarët nuk janë të atij grupi të ekipeve shumë të fuqishme, kurse këta kundërshtarët e Prishtinës janë kundërshtarë të fortë e që vështirë eliminohen, por ky rezultat 8-0 është zhgënjyes, por jo rezultat që klubi të bjerë në një gjendje depresioni në aspektin e asaj që nuk ka cilësi. Mendoj se Malisheva ka ekip të mirë dhe do të dijë të këndellet e të rikthehet në rezultatet e duhura”, ka thënë ai. 

Sokoli ka thënë se këto rezultate janë tregues se në të ardhmen ekipet duhet të forcohen dhe të përgatiten më herët. 

Kjo humbje ishte në kuadër të garës në Ligën e Konferencës.