Gjatë nënshtrimit të Testit të Arritshmërisë, nxënësit kopjuan përgjigjet edhe për pyetjet më bazike, si për ato që kanë të bëjnë me shpalljen e pavarësisë.
Udhëzimi administrativ për vlerësimin e tyre parasheh që nxënësit të cilët nuk arrijnë rezultatet minimale mbesin në riprovim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërsa ata që mbesin në riprovim në më shumë se tri lëndë, ngelin.
Por për të arritur kriterin e kalueshmërisë për lëndë, nxënësi mjafton që gjatë vitit shkollor të marrë një dysh.
Drejtori i shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, thotë se nxënësit e shfrytëzojnë këtë hapësirë ligjore për të kaluar vitin shkollor.
“Udhëzimi administrative ju krijon këtë hapësirë nxënësve që njëherë arrin të marr një notë dy, notën mjaftueshme, e kalon vitin sepse mesatarja aritmetike e dy notave del 1.5 dhe sipas udhëzimit administrativë, 1.5 rrumbullakohet me 2 dhe matematikisht rrumbullakohet me dy, mirëpo çka me ju bë rasteve kur gjatë gjithë vitit nxënësit nuk arrin asnjëherë këtë minimum të rezultateve që i kërkon program lëndor në lëndë të ndryshme që punojnë mësimdhënësit”, ka deklaruar Halimi.
25 nxënës kanë mbetur në riprovim në shkollën “Hilmi Rakovica” në kryeqytet, e nëntë kanë ngelur vitin. E në shkollën “Asim Vokshi” nuk ka ngelur asnjë nxënës.
“Asnjë nxënës nuk ka mbetur në riprovim për arsye se mësimdhënësit e kanë pasur obligative ta mbajnë mësimin plotësues për të gjithë fëmijët që kanë pasur ngecje për t’i arritur rezultatet të cilat i ka caktuar mësimdhënësit... Gjithmonë legjislacioni në fuqi e sheh progresin e nxënësve dhe udhëzimi administrative e sheh progresin dhe në bazë të progresit të nxënësve vlerësohen nxënësit”, është shprehur Nazif Jashari, drejtor i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, “Asim Vokshi”.
Sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, vlerësimet e brendshme të nxënësve nuk paraqesin gjendjen faktike të mësimnxënies.
Sipas tij, mësimdhënësit vlerësojnë nxënësit me nota më të larta se që meritojnë.
“Vlerësimi diferencial është në rregull të jetë më i relaksuar në shkollën fillore, mirëpo jo edhe në nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë, çfarëdo fryrje e rezultatit pa dyshim është në dëm për nxënësit dhe kjo është ai interesi kombëtar i cili është i domosdoshëm të rikthehet në vëmendje, në mënyrë që të mos krijojmë iluzione që të ballafaqohen nxënësit tanë më këto shkathtësi dhe dije të vërtetë që ata e kanë që të punojmë dhe t’i përmirësojmë më ta drejt korrigjimit”, ka thënë Qehaja.
Në vlerësimet ndërkombëtare ka rezultuar se 85 për qind e nxënësve në Kosovë nuk mund të zgjidhin një detyrë të thjeshtë matematikore dhe nuk mund ta kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare.