Analisti politik, Ben Andoni, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, po e shfrytëzon Kosovën sepse e ka më të lehtë që ta përdorë.
“Trump po e shfrytëzon Kosovën, sidomos narracionin e tij ditët e fundit, sepse e ka më të lehtë për ta prekur. Kështu bëri edhe më 2020... e ka të lehtë për ta përdorur”.
E, zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme nga SHBA-ja në lidhje me Ballkanin Perëndimor, Andoni e ka quajtur vendim të duhur.
“Vendimi ka qenë i duhur, më shumë është që këta individë nuk e kërcënojnë direkt po indirekt interesat e SHBA-së sepse çdo konflikt që hapet i krijon problematika. E para, problematikën e imazhit që ka SHBA dhe e dyta... Akoma në Ballkan duket se ka probleme, i pari është Bosnja dhe e dyta Kosova. Urdhri i ka shërbyer status quos të momentit të Ballkanit”, përfundoi ai.
Andoni nuk e sheh të mundshme që Serbia të krijojë një incident të madh në raport me Kosovën në një të ardhme të afërt. Sipas tij, presidenti i saj ka probleme të brendshme me të cilat i duhet të përballet.
Andoni ka shtuar se Aleksandër Vuçiq nuk ka fuqi që të mbajë dy fronte, me situatën që e ka brenda shtetit të tij.
“Në kremtimin e Vidovdanit, besoj se do vinë edhe pelegrinë serbë, ata duan të mbajnë një vetëdije të historisë së tyre por Vuçiq nuk mund të shkojë më tej sepse nuk mund të mbajë dy fronte. E ka vështirë. Një vit e gjysmë më vonë Serbia do të bëjë një panair botëror dhe nuk mund të hapi një front apo të shpenzojë fuqi për Kosovën sepse ajo i duhet të rregullojë problematikat e brendshme. E përjashtoj që në të ardhmen ata të krijojnë incidente të mëdha”, ka thënë ai në “Interaktiv”.