Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vdiq gruaja që ra nga “Ura e Moglicës” në Gjakovë

Vrasje - shiriti - vdekje - policia

Foto: Ilustrim

Një grua ka vdekur pas rënies në ujë nga “Ura e Moglicës” në Gjakovë, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Rasti ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës. Policia bashkë me zjarrfikësit dhe ekipet emergjente i kishin dhënë ndihmën e parë viktimës pas nxjerrjes nga uji, dhe më pas ajo ishte dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Më vonë, nga spitali është bërë e ditur se gruaja ka vdekur.

“Rreth orës 19:55 jemi njoftuar se një grua në moshë madhore kishte rënë në ujë nga e ashtuquajtura “Ura e Moglicës”, në rrugën “Ymer Pula” në Gjakovë. Patrullat policore, së bashku me njësinë e zjarrfikësve dhe ekipin e emergjencës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku viktima ishte nxjerrë tashmë nga uji. Personeli mjekësor i ka ofruar ndihmën e parë dhe më pas ajo është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Rreth orës 21:30 jemi njoftuar nga spitali se gjendja shëndetësore e viktimës ishte përkeqësuar dhe ajo ka ndërruar jetë”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ai ka shtuar se Policia po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.