Arbëri

AME: 196 intervenime dhe 42 persona të evakuuar nga vërshimet e janarit

Shefki Abdullahu

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se gjatë vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në muajin janar janë koordinuar gjithsej 1007 raste, janë realizuar 196 intervenime në vërshime, ndërsa 42 persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Ushtruesi i detyrës së AME-së, Shefki Abdullahu, në një konferencë për media ka thënë se situata me vërshimet ka prekur disa komuna të vendit, përfshirë Malishevën, Gjakovën, Klinën, Junikun, Drenasin, Skenderajn, Mitrovicën, Suharekën, Gjilanin dhe Prishtinën.

Abdullahu ka treguar edhe rekomandimet me të cilat ka dalë Agjencia në lidhje me këtë situatë, që përfshinë pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të shtretërve të lumenjve, monitorimin e vazhdueshëm të zonave me rrezik të lartë, ndalimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara nga vërshimet, forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm dhe rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rreziqet nga fatkeqësitë natyrore.

Kosova është përballur me dy valë vërshimesh në këtë muaj, e para ishte më 6 dhe 7 janar, kryesisht në komunat e rrafshit të Dukagjinit dhe në Drenas, e vala e dytë më 10 janar goditi kryesisht pjesën lindore. Megjithatë mungon ende një bilanc zyrtar për dëmet e shkaktuara të cilat nuk ishin të pakta.

Në lidhje me këtë çështje as niveli qendror e as ai lokal nuk kanë publikuar të dhëna për sipërfaqet e përmbytura, numrin e shtëpive e objekteve të dëmtuara dhe qytetarët e prekur.