142 mijë qytetarë nga diaspora kanë dorëzuar aplikimet për të votuar nga jashtë në zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas aktivistëve që jetojnë në shtetet e Evropës, kjo lidhet me rritjen e aktiviteteve partiake në këto vende, që sipas tyre, janë kryesisht në drejtim të mbledhjes së votave, por jo edhe të përfshirjes në vendimmarrje të mërgatës
Interesimin rekord të diasporës për të votuar nga jashtë, aktivistë kosovarë në mërgim po e lidhin edhe me shtimin e aktiviteteve të partive politike në shtetet perëndimore.
Në KQZ kanë njoftuar se për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit kanë aplikuar 142 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Lulzim Veliut, aktivist në Gjermani, partitë politike kanë intensifikuar vizitat dhe takimet me mërgatën në shtetet perëndimore, gjë që, sipas tij, ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të të regjistruarve për votim.
Veliu thotë se aktivitetin më të madh në diasporë e ka Lëvizja Vetëvendosje, por shton se edhe partitë e tjera opozitare kanë shtuar angazhimin.
“Por një gjë të tillë nuk kanë mbetur anash as paritë opozitare të cilat, me thënë të drejtën, pas shkurtit të vitit të kaluar janë riorganizuar dhe kanë filluar me aktivitetet e tyre në degë dhe nëndegë si Lidhja Demokratike ashtu edhe Partia Demokratike e të cilat janë duke i bërë thirrje të vazhdueshme bashkatdhetarëve tanë që të jenë pjesë e votimit”, ka thënë Veliu.
Megjithatë, ai nuk pret që një numër i madh i qytetarëve nga diaspora të udhëtojnë drejt Kosovës për të votuar fizikisht.
“Kësaj radhe numri sigurisht që do të jetë shumë më i vogël se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar pasi që qershori është një periudhë e papërshtatshme kur dihet mirëfilli se pjesa e madhe e mërgatës pushimet verore i kanë në muajt korrik dhe gusht”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Osman Osmani, aktivist nga Zvicra, vlerëson se institucionet e Kosovës dhe partitë politike angazhimin në diasporë e kanë fokusuar kryesisht te sigurimi i votave, por jo edhe te përfshirja e mërgatës në proceset vendimmarrëse.
“Mua më duket që përtej votës edhe remitancave, bashkatdhetarët tanë, rrjetet profesionale, trans nacionale sikur edhe ato që kanë një traditë të organizimit edhe kulturor e komunitar do të duhej të përfshiheshin në mënyrë të strukturuar edhe institucionalisht për një zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratik të vendit dhe shoqërisë amë”, ka thënë Osmani.
Sipas Osmanit, është paradoks interesimi i madh i diasporës për pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë, krahasuar me angazhimin më të ulët në proceset politike të vendeve ku jetojnë dhe punojnë.
“Mos-interesimi i këtyre bashkatdhetarëve të shumtë me dhjetëra, qindra, mijëra që të marrin pjesë edhe në jetën shoqërore, zhvillimet politike edhe në vendet apo qendrat e tyre të jetesës. Ne tani në Zvicër e kemi, për shembull, një referendum me 14 qershor ku ka të bëjë me fatin edhe të bashkatdhetarëve tanë edhe të atyre që janë këtu tani posaçërisht edhe të atyre që synojnë të jetojnë në të ardhmen në Zvicër”, ka thënë ai.
Me 142 mijë aplikime për zgjedhjet e 7 qershorit, është tejkaluar numri i atyre të vitit 2021 që deri më tash ishte rekord. Atëkohë ishin bërë mbi 130 mijë aplikime.
Të dielën mbrëma është mbyllur afati për regjistrim të votuesve jashtë vendit.