Arbëri

Ahmeti tregon mënyrën e funksionimit të buxhetit: Zgjedhjet vijnë e shkojnë, jeta duhet të vazhdojë

Shpend Ahmeti

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar mënyrën e funksionimit të buxhetit të kryeqytetit.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se buxheti komunal përbëhet nga grantet qeveritare, apo paratë nga niveli qendror dhe të hyrat vetanake, apo taksat që i mbledh vetë komuna.

 Në postimin e tij në Facebook ka sqaruar se grantet ndahen nga buxheti  për komuna dhe ndahen sipas numrit të popullsisë në secilën komunë, duke shkruar se Prishtina e ka edhe një shumë shtesë për shkak se është kryeqytet.

“Në prill të çdo viti Ministria e Financave dërgon qarkoren e parë buxhetore te komunat dhe iu tregon se sa është tavani buxhetor dhe tavanet për kategoritë paga dhe meditje, mallra dhe shërbime, subvencione e Investime kapitale. Madhësia e buxhetit përcaktohet nga vlera e grantit për secilën komunë plus mesatarja e të hyrave vetanake për tre vitet e fundit. Kur e merr komuna qarkoren e përgatit buxhetin dhe shpenzimet brenda kategorive. Deri me 31 gusht duhet i organizu takimet me qytetarë. Me 1 shtator duhet me e dorezu në Kuvend Komunal dhe deri në fund të shtatorit duhet me e kalu në Kuvend Komunal me shumicë të thjeshtë. Buxhetin e aprovuar duhet me e dërgu në Ministri të Financave e cila e bën pjesë të buxhetit për vitin e ardhshëm për ta kaluar në Kuvend të Kosovës. Çdo shpenzim i çdo organizate buxhetore duhet të aprovohet nga Kuvendi i Republikës”, ka shkruar ai.

Sipas Ahmetit, ndonjëherë bën edhe të vonohet sepse sipas tij, vetë Kuvendi i Republikës vonohet me diskutimin e buxhetit, por ka shtuar ai, në qoftë se e dërgon buxhetin pas afatin Ministria e Financave e dërgon versionin e vet për komunën deri në dërgimin e buxhetit nga komuna e pastaj deri në aprovimin e Kuvendit të Republikës.

Ka shtuar se Komuna e ka aprovuar buxhetin në dhjetor dhe edhe pse është dërguar në Ministri e pastaj përcjellë në Kuvend, Kuvendi i Republikës nuk e ka votuar prandaj në fuqi është versioni i Ministrisë.

“Kur nuk arrin me i shpenzu grantet qeveritare deri me 31 dhjetor, qeveria t’i merr fondet pasi që e bën bilancin dhe prerjen ne fund të vitit. Mirëpo, të hyrat vetanake nuk mundet me t’i marrë. Komuna mbledh taksa edhe në nëntor/dhjetor dhe nuk arrin me i shpenzu. Procedura është kjo. Pasi e bën prerjen dhe bilancin e fundvitit dikund kah shkurti qeveria të njofton sa para nga të hyrat vetanake nuk i ka shpenzu. Kryetari duhet me e marrë atë shumë, me e nda ku po mendojnë dhe e dërgon në Kuvend Komunal për t’u votuar. Kjo quhet bartje e mjeteve. Pasi ta kalon në Kuvend Komunal ministria autorizon shpenzimet dhe lejon mjetet. Këtë bartje Komuna e ka thirr seancën me 27.11 sipas informatave në media që po lexoj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se faji është jetim, por përgjegjësia e përbashkët.

“Zgjedhjet vijnë e shkojnë por jeta duhet me vazhdu me shkolla, çerdhe, autobusa e shërbime”, ka shkruar ai.