Faton Abdullahu i PDK-së ka kritikuar Qeverinë Kurti 3 lidhur me lehtësirat që ka bërë, sa i përket Ligjit për të huajt dhe targat e automjeteve, për serbët që punojnë në institucionet paralele dhe për ata që studiojnë në universitetin në veri.
Duke folur për emisionin “Tre8tre” në KTV, Abdullahu, ka thënë se për të “është përfundim logjik, të cilin për fat të keq nuk e kuptojnë jo pak qytetarë, duke marrë parasysh se çfarë ka bërë partia në pushtet, duke filluar nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoQeveria është pajtuar që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë
“Për fat të keq duket se kjo Qeveri e kamuflon. Kjo mendësi politike e kamuflon mirë dhe të sjellë para aktit përfundimtar. Që nënkupton se ka pasur bisedime të fshehta. S’kemi të bëjmë me transparencë. Kemi të bëjmë me diçka që e prek në thelb sovranitetin e Kosovës. Ne jemi ekspozuar para një Qeverie që na thotë në mënyrë të vazhdueshme se mori fund, se veriu - u kry ajo punë, nuk kemi të bëjmë me struktura paralele. Tash biem përfundim se paska edhe marrëveshje me ato struktura. Se janë bërë dorë e zgjatur, e se kjo qeveri e ka bërë një gjë të tillë”, tha Abdullahu.
Abdullahu ka thënë se duke pasur atë vakum institucional, Kurti ka krijuar një vakum “si të thuash ‘ujku do mjegull’”.
“Brenda kësaj mjegulle janë bërë biseda të tilla, jemi para aktit të kryer. Është marrëzi që duhet ndëshkuar. Duhet ta dinë qytetarët se çfarë po i ndodh Kosovës”, tha Abdullahu.
Ai ka thënë se edhe njoftimi për rrogën e 13-të ka qenë në kuadër të kësaj strategjie.
“Pse u dha lajmi për rrogën e 13-të? Se me këtë qasje kjo Qeveri, kjo mendësi populliste do që të japë injeksion popullist, drogë populliste politike, qytetarëve të ngazëllyer me rrogë të 13-të, të cilëve më pas nuk i punojnë detektorët për të hetuar se çfarë po bën kjo qeveri”, tha Abdullahu.
Një ditë para fillimit të zbatimit të Ligjit për të huajt si dhe të atij për automjete, më 15 mars, erdhi në Prishtinë emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Në takimin që në mëngjesin e së shtunës pati me kryeministrin Albin Kurti, ai shprehu kërkesë që implementimi i dy ligjeve të mos jetë i menjëhershëm por gradual, dhe të mos i ndërpresë shërbimet shëndetësore e arsimore për serbët lokalë. Këto shërbime merren në institucione ilegale që Serbia i mban në Kosovë.
Pas takimit me Kurtin dhe me shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Sorensen kërkoi lehtësira për serbët.
“E konsiderojmë prioritet kyç që Qeveria e Kosovës t’u sigurojë leje qëndrimi punëtorëve dhe studentëve të përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, në mënyrë që të parandalohet çdo ndërprerje e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, ka thënë Sorensen, në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Kurti dhe ambasadorin Orav.
Ligji për të huajt parasheh që të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë autorizim përkatës.
Megjithatë, pas takimit të së shtunës është vendosur që këto rregulla të mos zbatohen menjëherë për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare. Ata do të kenë mundësi të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj, si dhe të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura paralele në vend.
Kryeministri Kurti dha detaje për lëshimet e bëra, e të cilave iu referua si “lehtësira”.
Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme.
“Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar edhe detaje të lehtësirave të krijuara.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë”, ka thënë ai. “Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hap një dritare të re 3-mujore për t’u mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do t’u lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”.