Muharrem Shabani është njëri prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës që më 2 korrik të 1990-tës e pati lexuar tekstin e Deklaratës Kushtetuese para qytetarëve dhe forcave policore që e kishin rrethuar Kuvendin. Në një bisedë për KOHËN ai ka folur për vështirësitë dhe për rrugën që e trasoi për shtetin e Kosovës kjo deklaratë
Në një situatë të jashtëzakonshme të shtetrrethimit 35 vjet më parë, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, u mblodhën para ndërtesës së bllokuar të Kuvendit në Prishtinë, për të shpallur Deklaratën Kushtetuese – një akt historik që shënoi nisjen e rrugës për shtetësinë e Kosovës.
Pas suprimimit të autonomisë më 23 mars 1989 nga Serbia, situata në Kosovë u përkeqësua ndjeshëm. Delegatët shqiptarë të Kuvendit filluan të përballeshin me presione të mëdha për të miratuar ligje që e fusnin Kosovën nën kontroll të plotë të Beogradit.
Në këtë klimë represioni, u hodh ideja për një Deklaratë Kushtetuese, si hap i parë drejt krijimit të një kuadri të ri politik për Kosovën si njësi federale në ish-Jugosllavi. Edhe pse tentativa për mbajtjen e seancës u pengua me mbylljen fizike të Kuvendit, delegatët, të mbështetur nga qytetarët, zhvilluan mbledhjen në platonë para objektit.
Ballafaqimi me policinë
Në mesin e tyre ishte edhe Muharrem Shabani, i cili më 2 korrik 1990 lexoi tekstin e Deklaratës para qytetarëve dhe forcave policore që kishin rrethuar Kuvendin.
“Legjislatura jonë u konstituua më 4 dhjetor të vitit 1989. Në atë kohën menjëherë filluan të na vijnë presione për miratimin e ligjeve me të cilat hiqej autonomia e Kosovës në të gjitha sferat e jetës, prej ekonomisë deri te sporti. Ne u gjendëm në situatë tejet të rëndë. Por edhe në atë situatë u munduam që të shprehim kërkesat e popullatës që kërkonin të jenë të barabartë me gjithë popujt tjerë në Ish- Jugosllavi. Nuk u përkrah asnjëra nga ato, por çdo herë ishte situatë më e rëndë dhe ajo vetëm sa përkeqësohej. Prandaj, ne, një grup delegatësh, së bashku me të tjerët, morëm iniciativën për nxjerrjen e Kushtetutës së re dhe ndryshimin e pozitës së Kosovës si njësi e barabartë në federatën e ish Jugosllavisë. Për këtë formuam komisionin përkatës me ekspertët më të shquar. U munduam ta qesim në Kuvend, por nuk u lejuam nga kryetari i Kuvendit, Gjorgje Boshoviq, që ma çon mallin sikur tash që po mundohen me ndalë fjalën me fol e me diskutu në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Shabani.
Ai ka folur për përpjekjet e shumta të regjimit të atëhershëm që të pamundësojë mbajtjen e seancës nga delegatët shqiptarë.
“U munduan me ndalje të rrymës e me presione të tjera, si kërcënime me njësi të policisë, por nuk u pajtuam dhe mbetëm tërë natën në Kuvend, kërkonim që mbledhja të vazhdojë. E morëm si qëndrim të përbashkët që mbledhja të vazhdojë më 2 korrik, me të njëjtin rend ditës, ku do të miratohej Deklarata për Kushtetutën e re dhe një mori pikash tjera. Por, atë ditë kur erdhëm, dyert e kuvendit ishin të mbyllura, ishin të bllokuara jashtë dhe brenda me forca të policisë, milicisë së atëhershme. Një ditë përpara, një grup diku rreth pesëmbëdhjetë delegatë mbajtëm një mbledhje në shtëpinë e delegatit Skënder Skënderi, në Prishtinë”, ka theksuar Shabani.
Sipas tij, e kishin menduar edhe më të keqen, duke caktuar emra të tjera nëse lexuesi i parë i deklaratës do të vritej.
“Aty bëmë edhe skenarin kush ta lexojë deklaratën format e tjera për ta udhëheqë mbledhjen. U morr vendim që mbledhjen ta udhëheqë delegati nga Prizreni, Bujar Gjygjala, kurse unë Muharrem Shabani nga Vushtrria ta lexoj Deklaratën Kushtetuese. Kishte edhe kandidatë tjerë, se ishte edhe bindja që mund të ndodhë ndonjë ekses më i rëndë që dikush mund të vritej, kështu që u caktuan edhe delegatë të tjerë që do ta lexonin deklaratën”, ka thënë ai.
Pesë pikat e Deklaratës
Deklarata Kushtetuese përmbante pesë pika.
“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë”, thuhej në pikën 1. “Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar”, vijonte pika 2. Ajo e radhës theksonte se kuvendi, Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
“Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente”, shkruante në pikën 4.
“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë” ishte përfundimi i deklaratës.
Muharrem Shabani thotë se pas miratimit të deklaratës, morën telegrame urimi nga shumë senatorë e kongresist amerikanë, që i përshëndeten vendimet e delegatëve.
Pas Deklaratës Kushtetuese, vetëm dy muaj më vonë, u miratua edhe Kushtetuta e Kaçanikut, një tjetër hap drejt krijimit të një strukture juridike të Kosovës. Pas kësaj, filluan përndjekjet, arrestimet dhe shpërnguljet e delegatëve. Shabani kujton se është detyruar të largohet dhe të kërkojë ndihmë në 16 vende të Evropës dhe SHBA-së, ku ka prezantuar kërkesat e popullit të Kosovës.
“Ishte sugjerim që Kuvendi të vazhdojë punën në ekzil. U vendosëm në Slloveni dhe Kroaci me pëlqimin e atyre shteteve dhe qeverive. Pastaj nisëm ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Evropë dhe në Amerikë. Kështu, personalisht, kam qenë në 16 shtete të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi treguar kërkesat e këtij populli, gjendjen historike, shkeljet e atyre të drejtave dhe kërkesat tona që në këto hapësira të ndërtohet një shtet i mirëfilltë, demokratik ku të gjithë qytetarët e saj, pa dallim, t'i gëzojnë liritë e të drejtat sipas standardeve më të larta të konventave ndërkombëtare”, ka thënë Shabani.
Zhgënjimi me të tashmen
35 vite më pas, Shabani nuk e fsheh pakënaqësinë me situatën aktuale, duke iu referuar edhe ngërçit në formimin e institucioneve të reja.
“Kemi pas ikje, jo gjatë luftës, po pas luftës, madje masovike të të rinjve dhe qytetarëve tanë, të cilët nuk po gjejnë perspektivë këtu. Por edhe tash në këtë situatë kur kemi një gjendje të rëndë, kur nuk ndërtojmë institucion të mirëfilltë shtetëror, në bazë të parimit të aftësive profesionale, por i bëjmë në bazë të parimit të përkatësisë partiake. Kemi degraduar edhe institucionet dhe po mundohemi të gjithë t'i fusim në njëfarë forme, nën mbikëqyrje, kështu që nuk mund ta ndërtojmë një shtet të mirëfilltë juridik. Unë kam pritë personalisht që do të kemi një shtet më të mire”, ka theksuar Shabani.
Institucionet nuk shënuan asnjë aktivitet në këtë përvjetor, derisa presidenca lëshoi një njoftim në faqen zyrtare.
“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë. Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë. Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë. Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane”, thuhet në njoftimin e presidencës.
E kryeministri në detyre Albin Kurti shkroi në rrjetin social Facebook duke thënë se akte politike si ai i 2 korrikut, janë me rëndësi historike në historinë politike të Kosovës.
“Sot 35 vite pas, e kujtojmë miratimin e Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, e cila e shpallte Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë në Jugosllavi. Në pikën numër 2 të saj, në këtë deklaratë shkruhej: "Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar." Këto akte politike dhe këto dokumente juridike, janë me rëndësi historike në historinë politike të Kosovës. Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese në qershor 1999 dhe shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, projekti i shtetit të Kosovës ka përparuar vazhdimisht në rrugën e shtetndërtimit, demokratizimit dhe integrimit ndërkombëtar. Me mirënjohje për kontributin e të gjitha gjeneratave që kanë punuar për Kosovën!”, ka shkruar Kurti.
Mungesën e aktiviteteve për këtë ngjarje, Shabani e cilësoi si zhgënjyese dhe shpërfillje që institucionet shtetërore po ua bëjnë datave historike.
“Përveç presidentes që thanë se është e zënë me disa aktivitete rreth situatës në vend, kurrkush nuk ka thirr. Më përpara sa ishte presidenti i ndjerë edhe udhëheqësit e tjerë kishim ftesa. Ajo ishte një satisfaksion moral ndaj këtyre delegatëve se dikush mendon me thirr dhe me i respektu këto data sepse ato s'kanë qenë për neve personalisht, për familjet tona, por kanë qenë për interesa të popullit”, përfundoi Shabani.