Arbëri

21 minatorë grevistë marrin trajtim mjekësor

Greva e minatorëve të “Trepçës” ka hyrë në ditën e pestë. Në horizontin e 10-të, rreth 800 metra nën tokë, 21 prej tyre të shtunën kanë marrë trajtim mjekësor, shkaku i keqësimit të gjendjes shëndetësore. E megjithëkëtë, kanë bërë zotimin se do të vazhdojnë të qëndrojnë prapa kërkesave që i kanë, deri në përmbushjen e tyre

Të dërrmuar fizikisht e emocionalisht i ka zënë dita e pestë e grevës, minatorët e “Trepçës”. Prej tyre, të shtunën 21 u detyruan t’i nënshtrohen vizitës mjekësore pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Në horizontin e dhjetë, rreth 800 metra nën tokë, ndonëse në gjendje të rënduar shëndetësore, ata kanë thënë të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Minatorët janë futur në grevë pasi kërkojnë realizimin e pagave mujore nga qershori deri në tetor, shkarkimin e menaxhmentit, sigurimin shëndetësor dhe kushtet e punës.

Jashtë minierës, një ekip i emergjencës qëndroi në gjendje gatishmërie.

Mjeku Haris Voca tregoi për gjendjen shëndetësore të minatorëve.

“Minatorët në përgjithësi kanë shfaqur simptoma të lodhjes, një kohë e gjatë është që janë në grevë. Deri më tash, sot ne që kemi ardhur prej orës 8, janë trajtuar 21 pacientë. Kryesisht kanë qenë probleme të tensionit, probleme me mundime, vjellje, të cilat i kemi trajtuar. Po ashtu, ka pasur edhe probleme me dhimbje koke, për shkak të kushteve qysh i kanë në horizontin e dhjetë ku janë aty. Mungesa e oksigjenit e bën atë që me shkaktu edhe probleme e më pas dhimbje të kokës”, ka thënë Voca.

Bajram Sadriu, minator prej një dekade në minierën e Stantërgut, thotë se mungesa e kushteve elementare dhe papërgjegjësia e menaxhmentit i shtyu ta marrin këtë vendim.

“E kemi një mendim, një qëllim, derisa të na plotësohen këto kushte ne kemi me nejt... Shkarkimi i kryeshefit se nuk është duke punuar për këtë minierë. Më së pari me kanë që punon mirë, ne i kishim marrë pagat me rregull”, ka thënë Sadriu.

E, tek ka folur për kushte të rënda, ka thënë se as rrobat e punës nuk i kanë të ndërmarrjes.

“T’i këqyri këtu: 90 për qind, kjo nuk është e Trepçës (rrobat), as kjo. Veç qëky është i Trepçës, i kësaj organizate. Domethënë, me çizme, me krejt i blejmë me para tona. Nuk kemi as dorëza, as kurrgjë”, ka thënë ky minator.

E Bashkim Uka thotë se me gjithë presionin, dalja nga greva do të ndodhë veç pas përmbushjes së kërkesave.

“Presion kemi sigurisht, por jo nuk do të dalim prej këtu pa u plotësuar kërkesat të cilat janë cekur. Sa të mundemi me qëndru, nuk e kemi nijet me dalë, nuk e kemi nijet me u dorëzu”, ka thënë Uka.

Një ditë pas dorëheqjes, tashmë ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës, Bujar Jashari, tha se u detyrua ta marrë këtë vendim nën presionin nga bordi mbikëqyrës për të dorëzuar listën e minatorëve që kanë hyrë në grevë dhe t’i bindë ata të heqin dorë nga vendimi.

“Unë nuk kam mundur të prezantoj emra, e për këtë arsye më është kërkuar dhënia e dorëheqjes dhe një gjë të tillë ia kam aprovuar menjëherë edhe me shkrim”, ka thënë ai. “Derisa unë kam qenë drejtor, asnjëherë nuk ka pasur një gatishmëri, por vazhdimisht më është thënë që t’i duhet ta bësh një zgjidhje dhe t’i nxjerrësh ata minatorë nga grevë, edhe pse dëshira ime nuk ka qenë që të jenë në grevë e as që të vazhdojnë grevën”.

E ushtruesi i ri i detyrës së drejtorit, Bahri Karaqa, tha se lista iu kërkua edhe atij, porse nuk e di numrin e saktë të minatorëve në grevë.

“Tash kur më ka thirr mua kjo ushtruesja e detyrës, unë prapë ato i thash që këto kërkesa prapë nuk kam mundur me t’i plotësu se nuk ma jep numrin e saktë ai... Ju kemi thënë, bëni një këshill, ta dimë me kë kemi të bëjmë punë, por këto nuk po bëhen”, ka thënë Karaqa.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me kryeshefin e “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, dhe me kryesuesen e Bordit, Rrezarta Pllana, porse gjatë ditës nuk kanë qenë të qasshëm.