“Ferronikeli” ka nisur largimin kolektiv nga puna, edhe të punëtorëve me kontrata të përhershme pa njoftim paraprak. Një numër punëtorësh u ankuan edhe në Inspektorat. Por, kompania është marrë në mbrojtje nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, sipas të cilit “Ferronikeli” nuk ka pasur alternativë tjetër.
2 vite pa dalë në pension, Agim Rrokut iu shkëput kontrata e përhershme nga kompania Feronikeli.
Ai thotë se menaxhmenti i kompleksit industrial e ftoi ta nënshkruajë largimin nga puna, gjë të cilën e refuzoi.
“Sot më kanë informuar prej drejtorie që duhet të vij ta shkëpus kontratën edhe pse e kam kontratën e përhershme. Pra, domethënë unë për momentin edhe dy vjet e gjysmë jam para pensionit. Zyrtarisht nuk ka pasur njoftim veç thashetheme, jo sot jo nesër jo edhe dy javë, jo tri javë, sot për sot zyrtarisht më kanë njoftuar”, tha ai.
Rroku është i zhgënjyer që Kompania ia shkëputi kontratën pak pa dalë në pension pavarësisht se la mund në të disa dekada.
“Realisht 40 vjet gati këtu i çuam krejt kohën tash shko prej shpije merre kontratën me tri rroga pagesë t’i paguajmë, kjo nuk është në rregull. Po të ishim më të rinj s’do të ishte problem do të gjenim punë, por tash mosha jonë për 2 vjet e 3 vjet por ka edhe një vit që presin me dale në pension...”, shtoi ai.
Kontratën ia shkëputën edhe një punëtori tjetër por ai e nënshkroi largimin.
“Deri në fund të vitit do të na paguajnë 50 për qind. Në janar dhe shkurt na thanë nga një rrogë të plotë. Në mars tri rroga dhe pastaj mirë u pafshim, jeni të lirë”, tha Lutfi Halilaj.
Për largimet nga puna, një punëtor anonim u ankua në Inspektoratin e Punës me shqetësimin se kjo po bëhet në kundërshtim me ligjin duke thënë se punëtorët, nën presion, po detyrohen të nënshkruajnë marrëveshjet për largim nga puna.
“Punëtorët po detyrohen të nënshkruajnë dokumente për ndërprerjen e marrëdhënieve të tyre të punës. Ky detyrim po kryhet nën presion, madje edhe gjatë orëve të vona të natës (deri në ora 22:00), ku punëtorët janë parë duke hyrë vetëm për të nënshkruar largimin”, thuhet në ankesë.
Inspektorati e ka konfirmuar se e ka proceduar rastin për inspektim.
Pavarësisht insistimit të KOHËS, në menaxhmentin e Ferronikelit nuk kanë pranuar të deklarohet. Në hyrje të kompanisë kanë thënë se personat përgjegjës nuk janë brenda objektit. Ndërsa udhëheqësi i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Shpend Gudaqi, ka kërkuar që t’i referohemi komunikatës së lëshuar të mërkurën, më 5 nëntor.
Një ditë më parë, Kompania bëri të ditur se do të aplikojë largime kolektive nga puna në përputhje me Ligjin e punës, pasi sipas saj e ka të pamundur të operojë me të gjithë punëtorët, për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që sipas saj, vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet.
Kompaninë e arsyetoi kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Jemi në dijeni për vështirësitë e shfaqura në kompleksin industrial ‘Ferronikeli’ dhe ndalimin e prodhimit që nga tetori i vitit 2023. Fatkeqësisht, kompania nuk ka pasur alternativë tjetër përveçse të ndërmarrë këtë hap, në përputhje me Ligjin e Punës”, tha ai.
Kompleksi industrial Ferronikeli është privatizuar dy dekada më parë dhe deri tash i janë ndërruar disa herë pronarët. Në shumë periudha kjo kompani ka ndalur prodhimin.