Futboll

Zeka pas kalimit në Rumani: Më në fund po e realizoj synimin e madh

Mevlan Zeka

Mevlan Zeka ka kohë që është prej futbollistëve më të mirë në Kosovë. Në edicionin e fundit ishte golashënuesi më i mirë, ndonëse skuadra e tij, Suhareka, nuk ia doli të siguronte ekzistencën. Por, në Superligë nuk do të jetë as 31-vjeçari nga Gjakova.

Ai të dielën e kompletoi transferimin në Rumani. Zeka ka firmosur me skuadrën tradicionale UTA Arad. Firmosi për dy vjet.

Zeka e zgjodhi UTA Aradin  në mesin e shumë ofertave që i kishte.

“Kam pasur ofertë në Kazakistan dhe përveç Dritës, nga 90 për qind e ligës në Kosovë kam pasur oferta. Po ashtu në Shqipëri. Por, gjatë rrugës ka ardhur edhe oferta nga UTA Aradi. Pastaj, kur i kam analizuar gjitha gjërat, vendosa ta lija Kosovën dhe ta sfidoja veten në kampionatin rumun. Ka qenë një arsye më tepër sepse bashkëlojtarët dhe me ata që kam luajtur në Kosovë, Korenica, Rrahmani, Krasniqi, Hazrollaj, Emërllahu, kanë bërë bujë dhe janë përshtatur shumë mirë me kampionatin rumun. Besoj se edhe unë rrugën e tyre do ta ndjek. Ta shohim si do të shkojë”, ka thënë Zeka për KOHËN, të dielën mbrëma. 

Ai ka luajtur në Kosovë për Vëllaznimin, Feronikelin, Lirinë, Ballkanin, Gjilanin dhe Suharekën. Ka arritur shumë suksese si me skuadra ashtu edhe në aspektin individual. Dhe tani do të testohet jashtë kufijve të Kosovës. Ka zgjedhur Rumaninë.

“E kam përcjellë ligën vazhdimisht. Kam biseduar edhe me Korenicën, Rrahmanin e Krasniqin. Më kanë thënë se nuk e ke problem të luash, sepse kemi qenë bashkëlojtarë dhe e dinë potencialin”, thotë sulmuesi. 

Ai është bashkuar me skuadrën e re në Slloveni në përgatitje. Do të qëndrojë dhjetë ditë në Slloveni e më pas do të vendoset në Rumani. Kampionati rumun fillon më 12 korrik. 

I duhet edhe rregullimi i dokumentacionit, që mund të marrë kohë, por Zeka shpreson që të jetë gati për xhiron e parë. 

“Sot ishte dita ime e parë me ekipin. Kam qenë në pushim, tri javë ditë nuk kam stërvitur fare, pasi kam zhvilluar 35 lojë në Kosovë, 90 minuta, pa ndërprerë. Kam pushuar dhe u bëra realist. I tregova edhe trajnerit që në ditët e para më duhet kohë derisa ta kap ritmin. Ta shohim. Ndoshta do të bëhem gati edhe për ndeshjet miqësore”, ka thënë Zeka.

Ai e kishte një lloj pengu që nuk kishte testuar aftësitë në klubet jashtë Kosovës. Dhe më në fund po e realizon një synim të madh. Edhe më herët ka pasur oferta nga vende të tjera, por kishte hezituar. 

“Çdo vit e kam pasur nga një ofertë nga jashtë, por kurrë nuk e kam marrë guximin. Por kësaj radhe e kam parë që ka qenë momenti i duhur për ta bërë lëvizjen. Kam dashur ta sfidoja veten jashtë, sepse gjithë jetën më ka mbetur peng, më ka penalizuar ajo që nuk kam dalë jashtë edhe më herët. Tani kam vendosur. Fillimisht dua të fokusohem te kampionati, këtu në Rumani, të tregoj vlera, e më pas rrugës çfarëdo që vjen është e mirëseardhur”, ka shtuar Zeka.

Me transferimin e tij, ndikimi i kosovarëve në kampionatin rumun vetëm pritet të rritet. Shumë lojtarë të tjerë kanë hapur rrugë të shumta me transferimin në Rumani.

UTA Arad e përfundoi kampionatin rumun në vendin e gjashtë. Ka gjashtë tituj të kampionit, por të fundit në vitin e largët 1970.