Futboll

Vlerësime të ndryshme pas dy ndeshjeve të para të Shaqirit

shaqa

Baseli është përgjigjur me fitore 2:1 pas humbjes me rezultat të njëjtë në hapje të edicionit të ri në Superligën e Zvicrës në futboll.

Baseli të shtunën fitoi ndaj Grasshoperit, ndërsa në xhiron e parë kishte pësuar nga St. Galleni.

Ndaj Grasshopperit të dy golat i shënoi sulmuesi nga Nigeria, Philip Otele. Asistimin për golin e dytë, që ishte i fitores, e bëri Xherdan Shaqiri. Ai krosoi bukur nga një goditje dënimi në minutën e 75-të.

Por, sipas analistëve në Zvicër, 33-vjeçari Shaqiri ende nuk e ka gjetur formën që e kishte në edicionin e kaluar kur udhëhoqi Baselin drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës.

Shaqiri ishte lojtari i tretë i Baselit me më së paku prekje të topit.

“Shaqiri ka shënuar aq shumë gola sa që kjo bëhej me automatizëm. Te Baseli kishin besim të madh në aftësitë e tyre. Pasi e humbën ndeshjen e parë, ekipi dhe Shaqiri duhet të punojnë për t’u kthyer në ritëm”, ka thënë Rolf Fringer, ish-selektor i Zvicrës. Ai ka folur në cilësinë e analistit në “Blue Sport”.

Fringer ka pasur kritika ndaj Shaqirit.

“Ai është ambicioz. Ai dëshiron që gjërat të përmirësohen shpejt dhe të fillojë të shënojë gola. Por ai duhet të mësojë këtë edicion se duhet të punojë fort së pari”, ka shtuar Fringer. “Ekipet po luajnë pak më fort kundër tij. Ai duhet ta përballojë të gjithë këtë, edhe pse si gjyqtar duhet ta mbroni. Por ai ende duhet të ankohet më pak dhe të koncentrohet më shumë në ndeshje. Natyrisht, fitoret e kthejnë ritmin e duhur”.

Shaqiri ka pasur vazhdimisht afër një lojtar të Grasshopperit. Në momente është dukur i nervozuar, ndërsa ka pasur edhe ankesa.

Ish-futbollisti Philippe Montandon, ka thënë se Hassane Imourane i Grasshopperit ishte si hije për Shaqirin.

“Shaqiri ende nuk është në ritëm. Ndaj Grasshopperit kishte hijen me Hassanen, që nuk i është ndarë. E kishte Behar Nezirin në ndeshjen me St. Gallenin, që e ka ruajtur shumë mirë për 90 minuta. Kjo ndonjëherë është frustruese për Shaqirin”, ka thënë Montandon.

Por ai ka shtuar se Shaqiri vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për Baselin.

“Ai sërish bëri pasimin vendimtar për golin e dytë. Një top nga goditja standarde kur gjërat nuk po shkonin mirë në lojë”, ka theksuar Montandon.

Edhe trajneri i Grasshopperit, Gerald Scheiblehner, ka veçuar momentin e pasimit të Shaqirit nga goditja e dënimit. Ai kishte folur edhe para ndeshjes për krosimet e rrezikshme të Shaqirit nga ndërprerjet.

“Në fund të fundit rutina e Shaqirit vendosi ndeshjen. Ai e pranoi me qetësi faulin e vogël dhe me stilin e tij të zakonshëm të klasit botëror e bëri krosimin ndaj të cilit është vështirë të mbrohesh”, ka thënë Scheiblehner.

Albian Ajeti startoi në sulm te Baseli, por në ndeshjen e dytë rresht dështoi të shënoi gol.

“Është dashur të jetë 5:1 apo 6:1 për ne, por në fund morëm fitore 2:1. Kemi luajtur për një gol për 85 minuta. Kemi bërë çdo gjë mirë. Nuk mbaj mend që Grasshopperi të ketë pasur ndonjë rast në pjesën e parë. Kam parë një ndeshje të mirë, ndonëse ishte ngusht në fund”, ka thënë Ajeti.